Së fundmi, Vullneti Zotit do të realizohet, mirëpo, ashtu siç na ka treguar i Lartëmadhëruari, e keqja vjen nga ne, ndërsa e mira nga Ai. Nëse, bota do të merr për këshilltar Samuel Hantigtongun atëherë rrafshnalta e Golanit do të bëhet shkak i Luftës së Madhe midis civilizimeve, e nëse bota do ta merr për shembull Fred Holiday atëherë do të mjaftojnë konfliktet me kaq, dhe Izraeli do ta dorëzojë Golanin paqësisht.

Doc. Dr. Muhamed JUSUFI

Goerge Bush i biri, pas ngjarjes së 11 shtatorit 2001 thirri burrështetasit e botës të përcaktoheshin nëse ishin me të, ose kundër tij! Kjo ishte paraqitja e parë e një epoke të re në ‘demokracinë liberale’, dhe gjithmonë sipas tij, bota tjetër nuk ishte më funksionale! Meqë në fokus doli ‘al Kaida’ fjalori i përdorur prej tij, bëri që të rilindin ekstremizma të rinj në botën arabe. Na është e qartë se shtetet arabe janë shumë në numër, kanë shtrirje të gjerë gjeografike dhe udhëhiqen nga disa sisteme politike.

Hapësira për manovrime politike dhe ushtarake ishin të shumta, prandaj edhe kalkulimet e analistëve janë të shumta. Mirëpo një gjë doli në pah, organizata të besuara dhe të pranuara në terren tek masa e gjerë arabe me të filluar Pranvera Arabe ishin ato Islame. Meqenëse ato nuk iu shkonin për shtati korporatave të mëdha globale (arabe e jo arabe), dhe zgjedhja demokratike e Muhamed Mursit  për president të Egjiptit, bëri që korporatat të vejnë në lëvizje aleatët e bindur të tyre.

Në Siri u bënë disa përpjekje për ta rrëzuar Bashar el Esedin, dhe, që të gjitha dështuan. Në lojë hyri aviacioni perëndimor i cili për objektivë kishte ‘ISIS-in’, por që edhe këta nuk dhanë rezultate. Pasoi ndërhyrja e drejtpërdrejtë e aviacionit rus, dhe tani kemi edhe sulmin me raketa tokë-tokë. Manovrimet diplomatike ruse të shoqëruara herë pas herë me ndërhyrje ushtarake të cilat kishin filluar në Abhkazi, Krime, Ukrainë, tani në Siri si dhe hedhja e gishtit drejt shteteve Baltike, lë përshtypjen se hegjemonia ruse po shkon drejt rikthimit të shteteve të ‘humbura‘, mbase edhe më shumë.

Eskatologët e ideologjive të ndryshme japin versionet e tyre rreth kataklizmës njerëzore, Luftës së Armagedonit dhe Ditës së Hashrit. Të parët përveç qëllimit të shitjeve të librave dhe njollosjen e feve ata më shumë merren me përralla të sajuara mirë, dhe ato i interpretojnë e stilizojnë sipas hollësisë së lapsit që kanë. Të tillët bazohen në libra ose thënie të vjetra, dhe, duke na paraqitur disa hipoteza përfundojnë me një mendim ndryshe nga parashkruesit e tyre. Të dytët bazohen në shkrimet biblike, gjë që, me to, po i terrorizojnë njerëzit anekënd botës, ndërsa besimtarëve të devotshëm prej llojit të tyre ua kanë mbyllur gojën. Thjesht thënë janë hipnotizues që “sqarojnë” të ardhmen njerëzore.

Të tretët, komentojnë ajetet nga Kur’ani që flasin për grumbullimin e të gjitha gjallesave të tokës, të cilët do të qëndrojnë për një kohë të caktuar paqësisht në vendin e quajtur Sham. Pastaj, krejt pas këtij tubimi do të ndodhë Fundi i Botës. Të tretës, pra islamistët, në esencën e tyre nuk kanë asgjë të dhunshme që do të vjen nga dora e njeriut mbi Fundin e Botës. Pra, bëhet fjalë për Kur’anin për Ditët e Fundit të Botës, me përjashtim të thënieve të Pejgamberit s.a.s., mirëpo sa janë të saktë ato thënie vetëm një All-llah e di. Çdo shpjegim ndryshe janë interpretime njerëzore e asgjë më tepër.

Për sa më sipër u tha, ne nuk bazohemi në teori eskatologësh, por thjeshtë sjellim këndvështrimin tonë të realpolitikës së sotme. Se sa jemi afër kësaj Lufte të Madhe shumë të përfolur askush nuk e di, sepse kjo nuk është në duart e një njeriu ose një grupi ose më shumë grupeve në konflikt. Kjo pyetje është shtruar dhe shtrohet, mu ashtu siç shpesh herë shprehej Kennedy kur këshillonte të afërmit përreth tij rreth keq-llogaritjeve. Atyre iu përkujtonte bisedën e dy kancelarëve gjermanë për zanafillën e Luftës së Parë Botërore. Njëri pyeti tjetrin: si filloi? Tjetri i përgjigjet: ah, sa mirë do të ishte sikur ta dinim.

Mirëpo mua marrëveshjet e ditëve të fundit midis SHBA-ve dhe Rusisë po më kujtojnë vitet (1936-1940), që ishin vite para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja rreth rrafshnaltës Sudetenland në Çekosllovaki në Munchen (shtator 1938) midis Hitlerit dhe Neville Chamberlain, kryeministër i Britanisë së Madhe në vitin (1837-1940), ishte një prej mashtrimeve të radhës së Hitlerit. Sipas Chemberlain-it, marrëveshja ishte shumë e frytshme, dhe gjithmonë sipas tij, ai kishte bërë që bota të shpëtojë nga një luftë e madhe botërore.

Hitleri si gjithnjë çdo gjë e kishte me nguti, ai nxitonte që të përmbushte synimet e tij sa më parë t’ishte e mundur, mirëpo gjeneralët prej tij, kishin kërkuar vetëm pesë vjet kohë. Për të mos qëndruar bosh dhe për të përfituar në kohë, Hitleri fillimisht do të përdorë disa “manovra diplomatike”. Arroganca e tij nuk frikësoi vetëm armiqtë e tij, por edhe shtetet partnere të tij. Synimet e tij edhe pse ishin të qarta, shtetet evropiane (Britania dhe Franca) për të mos u fërkuar ushtarakisht me Hitlerin, e përkëdhelnin atë, ndërsa ai për t’i frikësuar edhe më shumë këto shtete, do t’iu tregojë muskujt e tij më 1937-të, kur ai urdhëroi aviacionin gjerman t’i del në ndihmë gjeneralit fashist Francisko Franko.

Në atë vit lufta civile në Spanjë kishte marrë përmasa të mëdha, veçanërisht, kur kryengritësve iu kishin shkuar në ndihmë komunistë nga shumë vende të botës (analoge për ditët tona të sotme në Irak e Siri, vullnetarë nga anembanë bota në ndihmë të ISIS-it). Hitleri atëherë ishte treguar i pa mëshirshëm për civilët dhe kryengritësit, mirëpo tani, a do të duhej bashkësia ndërkombëtare ose SHBA-ja (si fuqi globale) të pret derisa të dalë një shtet për të ‘ndihmuar’ njërën palë sa për të treguar muskujt sikur dikur Hitleri !

Pas disa vjet luftimesh në Siri dhe Irak, dhe pas disa përpjekjeve jo serioze të bashkësisë ndërkombëtare dhe SHBA-ve, për ta ndalur luftën në këtë rajon, kemi ndërhyrjen shumë të lehtë ose të vogël të SHBA-ve dhe aleatëve të saj në ‘ndihmë’ të situatës së përgjithshme për ndërprerjen e luftimeve në rajon. Kjo ndërhyrje ka parashtruar më shumë dilema, dhe me të drejtë SHBA-ve ju shtrohet pyetja pse nuk kishin ndërhy që në fillim, dhe nëse tani më veç janë përfshirë fizikisht në Irak e Siri pse nuk kemi ndërhyrje serioze!?

Në Siri sikur të mos paraqiteshin disa forcat rajonale në ndihmë të grupeve ndërluftuese, druaj se ndërhyrja e SHBA-ve për ta stabilizuar vendin nuk do të ndodhte. Tregues më i mirë është sasia e vogël e angazhimit amerikan në këtë rajon, dhe paqartësia politike. Gjeneva një dhe dy nuk dhanë rezultate. Nëse do të dështojnë edhe në Gjeneva tre, atëherë SHBA-të dhe shtetet aleate të saj nuk do t’i mbetej vend në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Ende nuk janë përcaktuar për këtë konferencë, dhe  përderisa po hamendësoheshin deri në gjetjen e zgjidhjes para konferencës, kemi ndërhyrjen ruse.

Së afërmi do të mësohet nëse heshtja e Obamës dhe administratës së tij kishte të drejtë që pritën kaq gjatë për të ndërprerë luftën në rajon. Për mua ishte një dobësi intelektuale dhe ishte një keq-menaxhim diplomatik të cilën e shfrytëzoi Rusia. Tani, përfshirja e drejtpërdrejtë e Rusisë dhe Iranit në rajonin e këtij konflikti ose do ta stabilizojë me shpejtësi rajonin në mënyrë alla rusçe, ose konflikti në rajon do të përshkallëzohet edhe më shumë.

Sudetenland-i dhe Golan-i

Ashtu siç theksuam më lartë, shihej qartë se Hitleri për t’ia kthyer imazhin dhe nderin popullit gjerman filloi me idenë e rikthimit të tokave që Konferenca e Versajës ia kishte dhuruar disa shteteve përreth Gjermanisë. Lufta e Dytë botërore filloi vetëm atëherë kur Hitleri pushtoi rrafshnaltën e Sudetenland-it në Çekosllovaki. Këtë strategji tani për tani është duke e përdorur Rusia, ajo ende pa mbaruar mirë me vendet përreth, mori një nisme shumë të rrezikshme në Siri. Mirëpo, për Sirinë janë të interesuara më shumë se një shtet, më shumë se një forcë ushtarako-politike. Palët e interesuara pa dyshim janë SHBA-të si forcë globale, pastaj Rusia si forcë kontinentale, pastaj Irani si forcë rajonale, si dhe Turqia e Arabia Saudite si forca pretendente rajonale.

Por le të mos harrojmë, e gjithë kjo luftë bëhet në një hapësirë që në kufi e kanë shtetin më të rrezikshëm dhe më të pabindur në botë edhe pse ka një sipërfaqe shumë të vogël. Shumë analistë ushtarak vërtetojnë se ky shtet ka shumë raketa me mbushje bërthamore. Rreziku tani për tani nuk mendoj se do të fillojë nga ky shtet, sepse është i frikësuar edhe pse është shumë herë më i armatosur se të gjitha shtetet e rajonit. Hegjemonia izraelite që nga viti 2006 është në rënie edhe pse për decenie me radhë kishte ngacmuar shtetet arabe.

Kësaj radhe rreziku i një lufte të madhe botërore mund të vjen nga Siria e ndihmuar nga Rusia edhe pse është e dërmuar nga lufta katër vjeçare. Siria në vitin 1967-të gjatë luftës arabo-izraelit kishte humbur rrafshnaltën e Golanit, ndërsa kjo rrafshnaltë për Izraelin konsiderohet vend i bekuar, pra është vend jetik për Izraelin. Mirëpo, për Sirinë është rikthim i krenarisë dhe i nderit. Nëse kjo strukturë qeverisëse siriane do të shpëtojë nga kjo luftë, atëherë them se nuk do të ndalojë me kaq, por do të kërkojë rikthimin e kësaj rrafshnalte. Në anën tjetër nëse Izraeli do të këmbëngul dhe nuk do që të negociojë për këtë vend të pushtuar prej tij padrejtësisht, atëherë mund të pritet më e keqja e njerëzimit.

Së fundmi, Vullneti Zotit do të realizohet, mirëpo, ashtu siç na ka treguar i Lartëmadhëruari, e keqja vjen nga ne, ndërsa e mira nga Ai. Nëse, bota do të merr për këshilltar Samuel Hantigtongun atëherë rrafshnalta e Golanit do të bëhet shkak i Luftës së Madhe midis civilizimeve, e nëse bota do ta merr për shembull Fred Holiday atëherë do të mjaftojnë konfliktet me kaq, dhe Izraeli do ta dorëzojë Golanin paqësisht.