Autor:

Mr. Sc. Albinot Maloku, politolog

E ardhmja e shqiptarëve etnik (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) në Ballkan, Evropë. A mund të lindin kombe të reja shqiptarësh në Ballkan apo do të ngelë një komb me tendencë bashkimi?

 

Ndër shqiptar është diskutim i moçëm fenomeni i rrugëtimit të tyre historik, politik, ekonomik, diplomatik e në raste edhe identitar. Vepra e Sami bey Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, vazhdon të ngelet përcjellëse e pandashme, me të cilat pyetje, kombi shqiptar vazhdon të përballët sot e kësaj dite. Vështrimet, opinionet,  mendimet e përgjigjet për këtë përballje të shqiptarëve me të kaluarën, të sotmen e të ardhmen nuk është se kanë munguar. Ato janë shkruar e thënë në forma e mënyra të ndryshme, por sikur ende po vazhdon të mungojë një autoritet përbashkues e i respektuar që mendimet, vështrimet, opinionet e përgjigjet e dhëna t’i bëjë busull orientuese që do të ndiçeshin si synim e politik gjithë-kombëtare shqiptare në çdo kohë e mjedis.

 

Maratona e formësimit të një politike kombëtare, shqiptare, e cila do të mund të ishte boshti rreth së cilës do të sillej edhe politika ditore, pa dyshim nuk ka munguar, por kjo maratonë do të duhej ta kishte një fund të gëzuar, pas së cilit do të kishte një fillim tjetër të vazhdimit të faktorizimit esencial shqiptar. Historia e shqiptarëve, më shumë është e mbërthyer nga goditjet e marra si nga brenda e si nga jashtë sesa çdo komb tjetër i hapësirës së ish-Gadishullit Ilirik i njohur më pastaj si Gadishulli i Ballkanit. Ky krahasim bëhet për të qenë më i lehtë e për t’iu referuar më pastaj në vështrimin tonë. Tek e fundit krahasohen të krahasuarat!

 

Prozhektorët rrugëtimit të kombit shqiptar nuk është se reflektojnë paqartësi në atë se çka është nevoja e tyre e si duhet të përmbushet ajo nevojë. Çdo komplikim i cili ka ndodhur e ndodhë brenda-përbrenda trupit identitar shqiptar, nuk rrjedh si pasojë e mos qartësisë së reflektimit të këtyre prozhektorëve. Qartësia rrjedh nga rrethanat gjeografike, historike, kulturore e identitare të vendndodhjes së shqiptarëve. Që të gjitha paralelisht mund të thyejnë çdo hamendje e cila mund të përcaktojë rrjedhën e nevojave të shqiptarëve në hapësirën e tyre dominuese të të jetuarit në të ardhmen. Të afërt apo të largët.

 

Pa mohuar të shkruarat e të thënat e bëra deri më tani, nga nivele të ndryshme shkencore, intelektuale e publicistike, për atë se cila është e ardhmja e shqiptarit në hapësirën gjeopolitike të Gadishullit Ballkanik, edhe ky vështrim do të provoj të jetë gurë peshues i kontributit intelektual në këtë tematik. Paralelisht me këtë do të provohet të jepet një pasqyrë e gjendjes momentale në të cilën ndodhet shqiptari sot, sidomos ai që jeton e banon në zonën e ish-Gadishullit Ilirik, pra në Kosovë, Shqipëri, IRJ të Maqedonisë, Luginë të Preshevës e në Mal të Zi. Pas prezantimit të kësaj pasqyreje do ta kemi edhe më të qartë, edhe më të lehtë të nxjerrim rekomandime në lidhje me atë se cila do të duhej të ishte e ardhmja e shqiptarëve dhe a mund e a duhet të kemi shtete të reja brenda së cilave shqiptarët do të dominonin. Ky vështrim do të bazohet në disa faktor që e determinojnë rrugëtimin raportin e shqiptarit ndaj preokupimeve të parashtruara e që vazhdimisht kërkojnë përgjigje.

 

 

Shqiptarët në Mal të Zi

 

Trajektoren e proceseve historiko-politike e shoqërore të Malit të Zi, pa mëdyshje e përshkon edhe populli autokton shqiptar i kësaj hapësire. Prej formimit të Duklës, Zetës e deri tek Mali i Zi i sotëm, shqiptarët janë pjesë e pandashme e të gjitha rrjedhave përmes të cilave ka gjarpëruar historia e këtij vendi. Si pasojë e rrethanave të njohura historiko-politike, shqiptarët janë gjendur pa dashje brenda zonës e cila i ka konvertuar në minoritet autokton e dobiprurës për rrjedhat e më tejme të Malit të Zi.

 

Trevat ku shqiptarët i kanë dominuar me vendbanimet e tyre në Mal të Zi, përfshijnë kryesisht zonën kufitare me Shqipërinë. Ato janë: Plava, Gucia e Rozhaja në veri; Malësia e Madhe, Kraja, Anamali dhe Ulqini në veriperëndim të Shqipërisë. Të shtyrë nga shumë faktor e të imponuar nga regjimet dominuese të Podgoricës, nga të gjitha këto hapësira, dikur të banuara me shqiptar, sot vetëm në disa nga ato, shqiptarët vazhdojnë të jenë prezent e të jetojnë aty. Arsyet që kanë ndikuar që shqiptarët të shpërngulen nga trojet e tyre autoktone në Mal të Zi, janë nga më të ndryshmet, mirëpo mungesa e perspektivës së inspiruar nga papunësia dhe mungesa totale e një perspektive ka bërë që, sidomos të rinjtë, të shpërngulen për në vende tjera. Mali i Zi përmes metodave e politikave të ndryshme, duke filluar nga centralizimi i qeverisjes lokale e mos dhënies së hakut për mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së saj me 2006, gjithashtu ka bërë që populli shqiptarë të vihet në pozitë shumë të pa lakmuar.

 

Shqiptarët në Mal të Zi kanë marrë pjesë nё tё gjitha rrjedhat kryesore politike të vendit, e sidomos në ato momentet vendimtare për vazhdimësinë e ekzistencës së këtij shtetit. Kjo pjesëmarrje e tyre ishte e imponuar nga rrethanat e kohës, e që ishte ruajtja e qenësisë së tyre me shpresën më të madhe për ndryshime të cilat do të mund të ndodhnin në një moment të volitshëm për ta. Lidershipi politik shqiptar në Mal të Zi, e konsideron si vit kthese, atë të 1997, kur u bë ndarja e partisë nё pushtet, pra të Partisë Demokratike tё Socialistëve nga tutela serbe. Në atë kohë me shpresëdhënës dukej kandidati i prezantua si pro-malazez Millo Gjukanoviq sesa ai pro-serb Momir Bullatoviq. Mbështetja shqiptare për Gjukanoviqin në atë kohë ishte zgjedhje mes një situate që kishte shpresa se do të ndryshohej, duke pas për efekt ndryshimin e pozitës së shqiptarëve sesa për Bullatoviqin që, jo se nuk ishte shpresë, por përkundrazi, regres edhe më i tmerrshëm. Moment tjetër i kësaj rëndësie ishte edhe viti 2006, kur Mali i Zi përmes një referendumi ndau hesapet me Serbinë duke anuar ka shpallja e pavarësisë, ose siç malazezët e prezantojnë, ripërtëritjen e shtetësisë së Mali të Zi. Shqiptarët votuan dhe ftuan në votim të po-së për pavarësinë. Arsyet për shqiptarët ishin të ngjashme si ato të 1997. Pjesëmarrja e shqiptarëve në referendum u bë përveç si arsye shprese, edhe si kundërpeshë e premtimit për një pozicion më të mirë të tyre brenda shtetit malazez.

 

Kandarin e ekzistencës së Malit të Zi gjithmonë e peshonin shqiptarët, mirëpo asnjë herë ata nuk u shpërblyen si duhet e sa duhet. Anashkalimi i faktorit shqiptar në Mal të Zi mbulohet me hapësirën e dedikuar për pakicat kombëtare dhe kjo nuk shpërfaq asnjë plotësim nevoje në ruajtjen e mirëfilltë të qenies shqiptare në këtë hapësirë shtetërore.

 

Ish-komunës së Tuzit i është privuar niveli i komunës që nga vitin 1958. Malësia më parë kishte 4 komuna. Nga kjo zonë shqiptare në Mal të Zi, ka në vazhdimësi shpërngulje të popullatës. Disa thonë se sot në emigracion janë dy Malësi, duke llogaritur se brenda janë më shumë se 12 000 banor, me një sipërfaqe jashtëzakonisht tё madhe tё territorit, me resurse ekonomike të bollshme. Angazhimi e qëllimi bazë dhe elementar i faktorit politik shqiptar në Mal të Zi ka vazhduar të jetë, që duke respektuar rendin aktual politik e juridik të hapësirës ku ata jetojnë aktualisht, të kërkojnë e të punojnë për ato gjëra që i ka garantuar Kushtetuta, por as kjo nuk është arritur.

 

Përfaqësimi i shqiptarëve në organet shtetërore të nivelit qendror e lokal, në ndërmarrjet e institucionet publike nuk është në pajtim me atë që e njeh as Kushtetuta e ligjet e shtetit malazez. Shkollimi, informimi, ekonomia dhe mundësit tjera që determinojnë zhvillimin e popullit shqiptar, po ashtu nuk janë premtuese për të ardhmen e tyre nëse Mali i Zi vazhdon politikat e saj të pa perspektiv për shqiptaret.

 

Shqiptarët në Luginë të Preshevës

 

Lugina e Preshevës ose e njohur edhe si Kosova Lindore, përfshinë territorin e tri komunave të cilat gjenden në lindje të Kosovës, e të cilat momentalisht janë të ngjitura me Serbinë. Komuna e Preshevës në jug, e Bujanocit në mes dhe e Medvegjës në veri paraqesin territorin e Luginës së Preshevës. Ky territor ka një hapësirë prej 1250 km², në të cilën deri në vitet e ’90 jetonin mbi 100 000 banorë shqiptar. Diskriminimi shtetërorë serb ndajë popullatës shqiptare në këto anë, ka rezultuar që për më se një dekadë ky rajon të zbrazet me një shpejtësi të madhe. Në vitin 1992, shqiptarët atje mbajtën me 1 dhe 2 mars referendumin për një autonomi territoriale-politike e kulturore në Luginën e Preshevës, me të drejtë bashkimi me Kosovën. Në këtë referendum me ‘Po’ votuan 99% e popullatës së këtij rajoni. Lufta e vitit 2001, mes forcave militare e paramilitare të shtetit serb dhe Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, bëri që të ndodhë një dyndje e madhe e shqiptarëve nga këto anë. Lufta e ndërkombëtarizojë çështjen e Luginës së Preshevës por pa rezultate të prekshme për banorët autokton.

 

Lufta në Luginë ndodhi si pasojë e diskriminimit dhe padrejtësive të bëra nga shteti serbë ndajë shqiptarëve. Të shtyrë në një pozicion mjaft të palakmueshëm, shqiptarët autoktonë të udhëhequr nga Ushtria Çlirimatre për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc më armë kërkuan të drejtat e tyre. Sot siguria dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë të Luginës nuk janë si të qytetarëve të tjerë në Serbi. Siguria e tyre përveç nga prezenca e xhandarmërisë në rajon, kërcënohet edhe nga deklarimet e lidershipit shtetëror e politik të Serbisë. Edhe pse Marrëveshja e Konçulit parashihte demilitarizimin e Luginës, kjo gjë nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite. Arrestimet spektakulare të shqiptarëve të bëra me 26. dhjetor të vitit 2008 nga forcat e Ministrisë së Brendshme, vërtetuan qëndrimin e vjetërsuar të Serbisë ndajë shqiptarëve. Imagjinari kolektiv në Serbi, duke ju falënderuar mediave republikane dhe politikës antishqiptare të shtetit, për Luginën e Preshevës absorbon vetëm informata negative.

 

Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë nuk bënë ndonjë interesim sikur për shkollat ku mësojnë nxënësit serb, ndërkaq furnizimi me tekste shkollore nga ministria në fjalë është shumë i limituar. Veç kësaj, studentët të cilët mbarojnë fakultetet në Universitetin e Prishtinës, Serbia nuk ua njehë diplomat. Kështu ajo ua pamundëson të jetuarit në vendete tyre të banimit.

 

Lugina e Preshevës po si në kohën e Millosheviqit, sikur në të gjitha fushat e jetës edhe në aspektin ekonomik kishte pësuar një kolaps. Masat e dhunshme kishin larguar shumë shqiptarë nga puna, por edhe diskriminimi i vazhdueshëm kishte dhënë efektin e vet. Të rinjtë shqiptarë të cilët nuk shihnin perspektivë në vendlindjen e tyre ia mësynin perëndimit. Ekonomia e ndrydhur dhe diskriminimi antishqiptar bëri që territori i Luginës të mos ketë asnjë zhvillim në aspektin ekonomik. Pas vitit 2001., kur edhe u ndalë lufta, ekonomia e Luginës u kaplua nga një ndryshim por jo i përmasave të nevojshme. Integrimi i shqiptarëve nëpër institucionet nga ku ata në mënyrë të padrejtë ishin diskriminuar dhe larguar, i nisur pas 2001-tës nuk ka arritur ende një nivel pranues që do të parandalonte ikjen e gjeneratave të reja nga vendi.

 

Prej pas mbarimit të luftës e këndej, faktorizimi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës kishte një lëvizje nga përparimi, por që nuk plotësonte nevojat e tyre. Tentimi i partive politike shqiptare për avancim dhe zgjidhje të problemeve përmes proceseve demokratike në Luginë, haste shumë pak në përkrahje të qeveritarëve të shtetit serb. Me incidente dhe aksione negative të cilat i ndërmerrte Serbia, synonte prishjen e çdo të arriture politike në Luginë. Me intervenimin e faktorit ndërkombëtar qeveria e Serbisë formojë një organ të ashtuquajtur Trupi Koordinues, përmes të cilit tentohet të zgjidhen problemet në Luginë të Preshevës. Këtë organ kohë pas kohe liderët e partive politike shqiptare e bojkotonin, për shkak se vullneti politik i Beogradit nuk shkonte në drejtimin e duhur. Aktualisht shqiptarët në Luginë të Preshevës janë në situatën me kritike për t’ju përgjigjur pyetjes në temën e ngritur për të ardhmen e shqiptarëve.

 

Shqiptarët në IRJ të Maqedonisë

 

Pas luftës së dytë botërore, sllavët në hapësirën e Ballkanit perëndimor formuan një shtet në krye me komunistin e emancipuar Josip Broz Tito. Atëherë këtij shteti të emëruar Jugosllavi iu ngjit edhe një hapësirë të cilën komunistët e pranuan si Republika e Maqedonisë. Kjo republikë ish-Jugosllave e përbërë nga 40 % të ashtu emëruarve maqedonas,  me më shumë se 30 % shqiptar autokton si dhe komunitete tjera në vitin 1991., formojë shtetin e pavarur të quajtur nga sllavët – Republika e Maqedonisë.

 

Prej 8 shtatorit të vitit 1991, deri në ditët e sotme këtë shtet krejtësisht artificial e gjarpëron një periudhë me probleme dhe destabilitet. Sot, Maqedonia aktuale është një republikë e pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, – prej vitit 2001 – me një organizim politiko-kushtetues të mbështetur në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, mes forcave politike shqiptare dhe maqedonase.

 

Realiteti në Maqedoninë aktuale, sidomos kohëve të fundit na shtynë të mendojmë e të bindemi se ky vend nuk ka kapacitet të gjenerojë përparim të marrëdhënieve mes etnive, si dhe të kapërcejë problemet me fqinjët e saj. Edhe pas Marrëveshjes së Ohrit shqiptarët nuk arritën të marrin aksion në Maqedoni edhe pse janë më shumë se 30 %. Njohësit e çështjeve politike në IRJ të Maqedonisë thonë se Marrëveshja e Ohrit ka mbetur e pa kuptuar si një gjëegjëzë, që është shkruar ndryshe, lexohet ndryshe, do të mbaroj ndryshe dhe i ngjet fjalës ndryshe. Kur jemi tek imazhi i Shkupit, ish-qeveria e kryeministrit Gruevski kishte filluar duke “zbukuruar” me disa “skulptura” Shkupin maqedonas. Projekti Shkupi 2014 e kishte dërmuar ekonomikisht më së shumti zonën veri-perëndimore të vendit, pra kryesisht ku jetojnë shqiptarët. ‘Maqedonizimi’ i kësaj republike ish-Jugosllave, u ndihmua jo vetëm nga politika e qeveria por edhe institucioni i cili më së paku guxon të shtrembëroj të vërtetën, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, për mes një “enciklopedie”, në të cilën autorët kishin shkruar “të vërtetat” për Maqedoninë, provuan të bënin një prezantim krejtësisht anti-shqiptar.

Aksionet e ndryshme kundër shqiptarëve si Sopoti, Monstra e në fund edhe Kumanova janë vazhdimësia e një diskriminimi kolektiv e individual të shqiptarëve në IRJ të Maqedonisë. Funksioni i subjekteve politike shqiptare kryesisht ka qenë ditor dhe gjatë mandateve ka pësuar rrotacione mes tyre në pushtet e me partnerët maqedon, por pa dhënë rezultate të dobishme për shqiptarin atje. Nevoja për nxjerrje të faktorit historik, kulturor, politik e ekonomik shqiptar në IRJ të Maqedonisë është po aq e madhe sa edhe përgjigja në pyetjet e parashtruar në këtë temë.

 

Shqiptarët në Kosovë

 

Shqiptarët në Kosovë brenda hapësirës politike e gjeografike të ish-Jugosllavisë ishin strumbullari dhe ombrella nën të cilën hynin të gjithë shqiptarët e ndodhur brenda administrimit jugosllav. Angazhimi i tyre për qenësinë e tyre si në aspektin historik, politik, kulturor dhe ekonomik ndryshonte sipas periudhave e momenteve në të cilat jetohej. Autonomia, Republikë nën ish-Jugosllavi, bashkim kombëtar e deri tek pavarësia ishin momente të cilat i kërkonin shqiptarët në Kosovës.

 

Pas shumë përpjekjeve, luftërave e angazhimeve ndodhi edhe nisja tjetër, pra maratona e shtet-ndërtimit të Republikës së Kosovës si në aspektin e brendshëm, e po ashtu edhe në aspektin e jashtëm nga 17 shkurti i vitit 2008. Kjo maratonë po vazhdon edhe sot e kësaj dite, edhe pse e sfiduar si nga brenda e po ashtu edhe nga jashtë. Pavarësisht sfidave të cilave iu nënshtrua kjo maratonë, sot Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran, i cili jetën e vet prej shteti e ka në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Por, çështja është, a u përmbyllë caku?

 

A u përmbyllë caku i Shqiptarëve?

 

Jo. Me pavarësimin e Kosovës, me Marrëveshjen e Ohrit, me Marrëveshjen e Konçulit dhe me pjesëmarrjen e shqiptarëve në organet shtetërore qoftë në Podgoricë, Shkup e Beograd nuk është përmbyllë caku e synimi i shqiptarëve. Që të gjitha në vete nuk kanë përmbajtje natyrale, por janë imponime të kohës e të kapaciteteve aktuale që kanë shqiptarët. Mirëpo këto arritje në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësuar. Këto janë momente që duhet të përplotësohen.

 

Shqiptarët nuk besojnë se çështja e synimet e tyre janë përmbyllë e përmbush. Zgjidhjet aktuale janë imponim i momentit për shqiptarët dhe ato duhet ruajtur, mirëpo rrugëtimi i tyre ka për të vazhduar. Pozicioni aktual i shqiptarëve si në Kosovë, IRJ të Maqedonisë, Mal të Zi, Luginë të Preshevës por as në Shqipëri nuk është garantues i mbrojtjes së tyre në çfarëdo rrethane tjetër politike, historike, ushtarake dhe ekonomike në Ballkan. Qeveritë aktuale në Kosovë e Shqipëri nuk kanë arritur të dëshmojnë strategji tjetër veç asaj të reklamimit dhe servilosjes ndaj situatave e rrethanave të imponuara nga qendra tjera të vendosjes.

 

Hapi i parë i një recepti për politikat shqiptare është vetërespekti, konfirmimi i identitetit të tyre pa menduar nëse i pëlqen dikujt tjetër ose jo. Ruajtja e të arriturave dhe formulimi i një strategjie kombëtare në të cilën ndjehen rehat e mund të besojnë shqiptarët në të. Bërja e një shteti shqiptar, të cilin shqiptarët do ta ndjenin si të tyre, e jo si krijesë e konstelacioneve historike e politike të botës është përmbyllje e cakut të tyre.

 

Unifikimi i faktorit shqiptar në një hapësirë gjeografike, politike e administrative është proces i cili ruan edhe faktorin shqiptar si tërësi por edhe fuqinë e paqes e të qetësisë afatgjate të Ballkanit. Korrigjimi i kufijve në Ballkan gjithsesi nuk do të ndodh pse veç shqiptarët e duan këtë, por nga se kjo do të imponohet si nevojë e natyraliteti të kufijve të hapësirave shtetërore të kësaj pjese të Evropës.

 

Pra, e ardhmja e shqiptarëve nuk është në krijimin e shteteve të reja por në natyralizimin e kufijve të hapësirës së tyre etnike. Rrethanat gjeografike, historike, kulturore e identitare të vendndodhjes së shqiptarëve janë qartësuesit i rrugëtimit të shqiptarëve. Çdo modalitet tjetër, nisur edhe nga përvoja është vetëm zgjidhje e momentit dhe nevojë e rrethanave. As edhe miqtë ndërkombëtar nuk i besojnë krijesave të cilat copëzojnë trupin kombëtar shqiptar. Ata mund ti pranojnë e përkrahin për arsye të momentit zgjidhjet aktuale por e dinë që zgjidhje stabile mund të jetë vetëm unifikimi i shqiptarëve në një hapësirë gjeografike.