Faktorët që zgjuan arabët (2)

I frikësuar për ekzistencën e Republikës Islamike, personalisht mendoj se ky ka qenë momenti vendimtar i kthesës kur Irani ka filluar të ndryshojë strategji në raport me rajonin dhe me shtetet tjera jo islame në botë. Si rrjedhojë e tërë kësaj, ai do të fokusohet të ngritjen e marrëdhënieve me grupet ‘radikale’ që vepronin në jug të Libanit dhe në Gaza.

Doc.Dr.Muhamed KAJOLLI

Nuk vonoi shumë, dy vjet pas largimit nga Afganistani, BRSS-ja shpalli shpërbërjen e Paktit të Varshavës. Ndërsa shteteve perëndimore do t’i jepet rasti që ushtritë e tyre të zbarkojnë në tokat që konsideroheshin sferë e interesit të Paktit Lindor pa rezistencë të madhe. Me këtë veprim perëndimi tregoi se hegjemonia ruse kishte marrë fund. Pa u hamendur fare, Perëndimi, në krye me SHBA-të, brenda një periudhe kohore do të merret edhe me Jugosllavinë edhe me Lindjen e Mesme (1991-1999). Mbase për shkak të pozicionit gjeostrategjik, problemi Jugosllavisë si duket doli të jetë më i rëndësishëm se sa Lindja e Mesme. Mirëpo, popujt muslimanë në përgjithësi pas përfundimit të luftës Irak-Iran dhe BRSS-Afganistan kishin filluar ndryshimet radiale në shoqëritë e tyre si në fushën ideologjike, ekonomike, sociale dhe teknologjike.

Moska zyrtare në vitin 1992 mbase për t’ia vështirësuar barrën kundërshtarëve serbë në Jugosllavi, kishte thirrur një takim ndërkombëtar sa për të tërhequr vëmendjen opinionit perëndimor për ‘zgjidhjen’ e problemeve në Lindjen e Mesme. Kësaj ftese iu përgjigjën shtetet më të zhvilluara të botës perëndimore dhe shtetet e Lindjes së Mesme. Në të morën pjesë 43 shtete, nga të cilat pesëmbëdhjetë ishin nga rajoni i Lindjes së Mesme. “Negociatat multilaterale synonin ndërtimin e së ardhmes të Lindjes së Mesme. Kjo linjë, që u hap në Moskë në janar 1992, u fokusua në çështjen kryesore që shqetësonin Lindjen e Mesme.”

Për habinë e shumë analistëve politikë, në këtë takim shumë të ‘rëndësishëm’ për Lindjen e Mesme diplomacia ndërkombëtare nuk e kishte ftuar Iranin! Arsyeja e mosthirrjes sipas diplomatit amerikan Dennis Ross, i cili ishte koordinatori i marrëveshjes për paqe midis Izraelit e Palestinës ishte: “… ne nuk shohim ndonjë gatishmëri që të kenë shfaqur ata për procesin e paqes me Izraelin”. Kjo lë të kuptohet se diplomacia amerikane nuk dëshironte të dëgjonte mendimin ndryshe për zgjidhjen e problemit të Palestinës.

Ndërsa Bert Scowcroft, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve në kohën e Geoge Bush, argumentonte se: “ Irani thjeshtë nuk kishte asnjë mundësi për të kontribuar. Ai nuk kishte ndikim mbi arabët, kështu që si mund të ndihmonte ai në procesin e paqes”… Në atë kohë ne nuk ishim gati të përfshinim Iranin”…

Pra, në kohën kur Irani pas mbarimit të luftës Irak-Iran mendonte se roli tij në Lindjen e Mesme ishte në rritje e sipër, dhe se prezenca e tij ishte e domosdoshme për të dhënë kontributin e tij në takime rajonale, ai neglizhohet nga shtetet perëndimore me në krye SHBA-të. Si duket Irani nuk ishte ftuar për shkak se në atë kohë Rafsanxhani haptazi kishte deklaruar se: Irani do të binte dakord për çdo zgjidhje të pranueshme nga palestinezët”.

Nga e tërë kjo nënkuptohej se Irani ishte problem në vete, dhe se Perëndimi do të duhej një ditë të ballafaqohej me të, mirëpo në kondita tjera. Mosmarrja pjesë e Iranit në këtë takim rezulton të ketë këto arsye:

  1. SHBA-të marrëdhëniet diplomatike me Iranin i kishin të ngrira, dhe duke qenë se kishin këtë status midis tyre, ata nuk dëshironin që të kishin prezent një shtet i cili do të mund t’ju shkaktonte probleme në atë konferencë multilaterale.
  2. Nëse do të ftohej Irani, konsiderohej se takimi midis SHBA-ve dhe Iranit do të ishte në fokusin e medieve botërore më shumë se sa vetë thelbi i konferencës mbi lindjen e Mesme…
  3. Nëse do të ishte prezent Irani në këtë mbledhje, dhe nëse do të dështonte konferenca, atëherë me të drejtë do të fajësohej Izraeli dhe SHBA-ja se pse kishin lejuar që Irani t’ishte prezent në atë konferencë.

 

I frikësuar për ekzistencën e Republikës Islamike, personalisht mendoj se ky ka qenë momenti vendimtar i kthesës kur Irani ka filluar të ndryshojë strategji në raport me rajonin dhe me shtetet tjera jo islame në botë. Si rrjedhojë e tërë kësaj, ai do të fokusohet të ngritjen e marrëdhënieve me grupet radikale që vepronin në jug të Libanit dhe në Gaza.

Kampi Merexhu el Zuhur (Livadhet me lule)

Izraelitët që nga viti 1987 po përballeshin me intifadën palestineze. Përpjekjet e policisë dhe ushtrisë izraelite për ta ndaluar këtë lloj rezistence të re palestineze ishte shumë e vështirë. Të rinj adoleshentë, po godisnin policinë me gurë nga çdo cep i rrugës. Të lodhur me këtë përditshmëri, autoritetet izraelite vendosin që një grup intelektualësh, aktivistë të intifadës t’i largonin nga vendi. Katërqind e gjashtëmbëdhjetë intelektualë aktivistë, më të njohurit e vendit, hoxhallarë, mjekë, inxhinierë, juristë, tregtarë etj, i nxorën nga shtëpitë e tyre, i futën në kamionët e policisë dhe i zbarkuar jashtë kufirit zyrtarë të shtetit të Izraelit.

Si duket, autoritetet izraelite nuk e kishin parashikuar se qeveria libaneze nuk do t’i strehonte në shtetin e tyre. Thënë më saktë, ishin vetë intelektualët palestinezë që nuk dëshironin të hynin në Liban. Prej autoriteteve libaneze kishin kërkuan që të mos ndërhynin në problemet e tyre me Izraelin. Qëllimi tyre ishte ndërkombëtarizimi i problemit të tyre.

Ky grup intelektualësh ngeli brenda zonës neutrale midis dy kufijve. Të ndodhur në situatë të tillë u detyruan me mjete rrethanore të krijojë kushte për mbijetesë. Grupi ishte i madh, shumica e tyre ishin intelektualë shumë të njohur edhe për opinionin ndërkombëtarë, prandaj, pa vonuar shumë, vërshuan mediet. Menjëherë pas tyre vërshuan edhe shoqatat humanitare për t’ju dhënë ndihmën e parë emergjente. Ishte kohë e dimrit, ndërsa në atë zonë bënte ftohtë i madh.

 

Kaluan disa ditë dhe asnjëra palë kufitare nuk i hapi dyert për këta intelektualë. Pala izraelite si gjithnjë arrogante, thoshte se vendimi është ishte i prerë dhe si i tillë do të duhej të zbatohej, në anën tjetër pala libaneze nuk i pranonte pa pasaporta dhe pa viza hyrëse. Kur ju shteruan shanset e largimit nga ky vend, grupi vendosi që të ngritin kampe qëndrimi për të zhvilluar një jetë të rëndomtë. Kështu, ky grup, në këtë zonë neutrale qëndroi nga dt. 17. Dhjetor 1992 deri në 17 dhjetorë të vitit 1993.[1]

Intelektualët kur e panë se qëndrimi tyre do të jetë shumë më i gjatë se sa parashikimet e secilit njeri, vendosën që me mjete rrethanore të krijonin zyra operative që do të bëheshin edhe vendtakime edhe shërbime për vetë pjesëtarët e kampit dhe reporterëve të shumë që tani më ishin aty. Secila zyre caktoi stafin e vet veprues dhe kështu filloi normalizimi i jetës së këtyre të pastrehëve. Ata themeluan zyrat e poshtë shënuar:

  1. Zyra politike dhe e informimit ( zëdhënësit):
  2. Për gjuhën arabe përgjegjës ishte Dr. Abdulaziz el Rentisi
  3. Për gjuhën angleze përgjegjës ishte Aziz Dauik, pastaj themeluan,
  4. Zyra e thesarit ose buxhetit
  5. Zyra për problem sociale
  6. Zyra sportit
  7. Zyra e kthimit
  8. U themelua gjithashtu edhe Universiteti “Ibën Tejmije”
  9. U themeluan edhe disa zyra të tjera me veprimtari të përkohshme

Kujton prof. Husni el Burini atë kohë, dhe thotë: “ Qeveria izraelite mendoi se duke na dëbuar nga shteti do ta ndalonte rezistencën tonë, ndryshe thënë t’i dobësonte lëvizjet islame, mirëpo vullneti All-llahut xh.sh. qëlloi t’ishte mbi qëndrimin e izraelit, dhe kështu ndryshoi gjendjen. Doli që nga një lëvizje e pastër islame palestineze të rezulton një lëvizje pan islame, sepse në atë kamp hynë vizitorë (gazetarë) me renome botërore. Sjelljet e mira, mikpritja dhe organizimi ynë brenda kapit mahniste të gjithë vizitorët. Ata, prej ne mësuan shkakun e largimit tonë dhe mësuan arsyen e kthimit tonë. Pra, qindra përfaqësues (shumica dërmuese ishin gazetarë dhe diplomatë) nga më shumë se 100 shtete të botës mësuan mbi Islamin tonë dhe për Lëvizjen tonë Islame. Ata, për çdo ditë raportonin në vendet e tyre, ndërsa idetë tona përhapeshin aq shumë, saqë as ne nuk besonim për suksesin e arritur. Bota e cila për decenie me radhë ishte informuar nga lajmet izraelite për mbrojtjen dhe të drejtat e njeriut, për një kohë të shkurtër kuptoi mbi gjenocidin sionist ndaj palestinezëve”.[2]

Për këtë veprim të Izraelit, pas disa muajsh kemi ndërhyrjen ose më mirë të thuhet reagimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i cili lëshoi një deklaratë të njohur sipas rezolutës 799-të, këtë veprimin izraelit KS i OKB-së e quajti akt i mjerueshëm. Ndërsa prej autoriteteve izraelite kërkoi rikthimin dhe riatdhesimin e tyre duke ju ofruar kushte të mira për jetesë. Sipas Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Izraeli kishte shkelur detyrimet e tij sipas Konventës së Gjenevës e vitit 1948-të.

Pas kësaj rezolute filloi kthimi, ndërsa mediet botërore tërhoqën korrespodentët e tyre. Me t’u larguar mediet ndërkombëtare dhe me t’u zbehur opinioni i përgjithshëm ndryshoi edhe politika sioniste. Izraeli po i kthente dalëngadalë të vendosurit në këtë kamp, mirëpo në të ngelën shumë prej tyre. Për disa muaj me radhë ngelën edhe dyqind e katërmbëdhjetë intelektualë. Por, ajo që habiti opinionin e thjeshtë të shteteve islame ishte largimi i menjëhershëm i shoqatave bamirëse arabe. Dyqind e katërmbëdhjetë intelektualë ngelën për disa muaj të tjerë pa ndihmat e shoqatave arabe!

Largimin e tyre e kujtonte me shumë keqardhje Dr. Abdulaziz el Rentisi, mirëpo në të njëjtën kohë përgëzoi shoqatat bamirëse iraniane të cilat iu qëndruan besnike deri në fund të qëndrimit të tyre. Telefoni ngeli mjeti i vetëm për t’u informuar me familjet e tyre dhe më gjerë. Nëpërmjet tij jepeshin lajmet dhe qëndrimet e tyre dhe me të ushtronin influencën e tyre në mediet botërore. Si duket ikja e shoqatave arabe dhe ngelja për disa muaj e shoqatave iraniane ka bërë që grupi i intelektualëve palestinezë të forcojë marrëdhëniet e saj me Iranin. Pas kthimit në vendlindje dhe katapultimit të tyre në organet më të larta të Organizatës Hamas, ky grup, këtë organizatë e orientoi kah Persia.

Hizbullahi dhe Hamasi tronditën diplomacinë botërore

Hizbullahi dhe Hamasi janë dy organizata të cilat lindën shumë vonë në Lindjen e Mesme. Këto shumë shpejt hynë në aksion dhe tronditën diplomacinë botërore. Këto dy organizata janë radhitur si frymëzuesit e fundit për këtë temë, mirëpo këto nuk janë më pak të pa rëndësishme sesa ato të parat. Lufta midis Hizbullahit dhe Izraelit në Libanin jugor pritej nga ana e Izraelit. Ishte çështje ditës kur do të fillonte kjo luftë, mirëpo, ata që e filluan luftën ishte Hizbullahi kur sulmoi kufirin zyrtar të Izraelit. “Pavarësisht se Izraeli nuk e priste sulmin kufitar të Hezbullahut të 12 korrikut (të vitin 2006-të, shën.im), dhe grabitjet e ushtarëve të tij, shteti sionist e kishte planifikuar dhe ishte i përgatitur për luftë kundër Hezbullahut për më shumë se dy vjet”.[3]

Ishte rasti i volitshëm që kjo datë t’ishte dita e shumë pritur e Izraelit për të qëruar hesapet me Hizbullahin, mirëpo lufta filloi vetëm atëherë kur izraelitët morën bekimin nga SHBA-ve. “Në fillim, çdo gjë shkonte sipas planit. Sapo Uashingtoni i dha luftës së Izraelit bekimin dhe mbështetjen e tij-Sekretarja e Shtetit Kondoleza Rais ju referua luftimeve si “Dhimbjet e një Lindje të Re të mesme…”[4]

Lufta e Hizbullahit ishte një mësim për të gjithë qytetarët e shteteve arabe, kjo tregoi se ata janë në gjendje t’i qëndrojnë dhe t’i bëjnë ballë fuqishëm ushtrisë Izraelite. Pas tridhjetë e tri ditëve luftë të ashpër, midis këtij grupi militant dhe ushtrisë izraelite, kjo e fundit vendosi të tërhiqej para se të shpallte humbjen e detyruar përkundër shumë shkatërrimeve që u kishte shkaktuar popullit civil libanez në Bejrut.[5]

 

Pamjet e dhëna nga televizionet arabe dhe jo arabe, portalet elektronike dhe gazetat ditore shfaqën entuziazmin dhe manifestimet festive duke filluar nga Mauritania deri në Irak. Kjo luftë frymëzoi pa masë arabët, sepse në mendësinë e tyre ishte futur ideja se shteti izraelit kishte një ushtri shumë të sofistikuar dhe të pamposhtur,[6] prandaj as që ia vlente të merreshin me ta. Por ‘fitorja’ e Hizbullahit u bë njëri prej shkaqeve kryesore dhe shumë të rëndësishme për vitet e ardhshme në mendësinë e qytetarëve arabë, të cilët vetëm pas këtyre ngjarjeve do të marrin guximin e të dilnin në protesta kundër regjimeve diktatoriale të vendeve të tyre.

 

Edhe pse lëvizjet islamike kishin shtrirje të mjaftueshme për të përmbysur regjimet e tyre, shumica dërmuese e popujve arabë ishin të frikësuar. Inferioriteti i tyre kishte shkuar aq larg saqë çdo tentim të përmbysjes së diktatorëve, sipas tyre, do të rezultonte me masakra të mëdha. Ata kishin bindje se pushtetarët e tyre do të ndihmoheshin edhe nga perëndimi dhe nuk ia vlente të bëheshin shkaktarë të atyre masakrave në përmasa të mëdha.

Populli arab nuk frikësohej pa bazë. Shembulli më i mirë për ta ishin ngjarjet e vitit 1991-të në Algjeri. Fronti Islamik për Shpëtim, i regjistruar në mënyrë demokratike nga algjeriani Abbas el Medeni (1931-…..) i cili i fitoi bindshëm zgjedhjet e lira që në rundin e parë vitin 1991-të, u zhgënjye nga veprimet e ushtrisë e cila qe e ndihmuar nga Franca. Ushtria e udhëhequr nga gjenerali Teufik Medin iu kundërvu kësaj Partie duke e burgosur liderin e tyre me pëlqimin e presidentit të shtetit. Kjo ngjarje qe shkaktare e vrasjes së mbi njëqind (100) mijë qytetarëve, shumica e të cilëve ishin civilë algjerian.[7]

 

Fitorja e Hizbillahut e vitit 2006-të, dhe më pas qëndrimi stoik i Hamasit në Gazë më 2008-të,[8] për njëzet e dy ditë me radhë, bëri që diktatorëve të shumë shteteve arabe t’iu lëkundet froni nga vendi. Në asnjë mënyrë nuk besohej se Hamasi do t’i qëndronte ushtarakisht sulmit të egër të ushtrisë izraelite. Kjo lëvizje ushtarako-politike kishte treguar se është faktor i rëndësishëm për zgjidhjen e problemit palestinez. Në vitin 2006-të kur palestinezët dolën në votime parlamentare, kjo lëvizje fitoi bindshëm që në rundin e parë të zgjedhjeve. Mirëpo nuk qëndroi shumë në pushtet, e si të qëndronin kur u thyen të gjitha parimet demokratike. Administarta e Hamasit nuk ishte në gjendje të përballonte pasojat e embargos dhe presionit të madh politiko-ekonomik që iu vendosën nga shtetet perëndimore, diplomacia ndërkombëtare, Izraeli dhe shumica e shteteve arabe…!!!

 

 

[1] Njeriu i parë i cili u riatdhesu ishte një djalosh më 7.01.1993. Meqenëse nuk pranoi pendimin edhe pse i ri u burgos. Pastaj pasuan edhe disa të tjerë më 21.06. 1993/ pastaj më 9.09.1993 / pastaj më 17.12. 1993 ishte grupi i i fundit i mbetur prej 214 intelektualësh.

[2]https://ar.wikipedia.org/wiki/%D9%85%D8%A8%D8%B9%D8%AF%D9%88_%D9%85%D8%B1%D8%AC_%D8%A7%D9%84%D8%B2%D9%87%D9%88%D8%B1

 

[3] PARSI, Trita, “60 vjet diplomacy në Lindjen e Mesme”, b.Helga’s secret. ISBN: 978-9928-09-017-1, f. 479.

[4] Po aty, f. 479.

[5] Për hubjet e ushtrinë izraelite nuk është dhënë ndonjë raport zyrtarë i konfirmuar, por flitet për shumë humbje të mëdha ushtarake.

[6] Izraeli detyrohej të pranonte numrin e ushtarëve të vrarë, përkundër mohimit të shpeshtë. “Në këtë formë audienca arabe njihej me emrat e të dëmtuarve dhe të vrarëve izraelitë që kishin vdekur; madje para se shteti sionist të lajmëronte familjet e viktimave izraelite. Impakti psikologjik i këtij veprimi nga ana e Teheranit mbi izraelitët-të cilët ishin rritur me ndjenjën e superioritetit ndaj ushtrive të fqinjëve arabë-ishte shkatërrues”. (PARSI, Trita, f. 482)

[7] Të dhënat e kësaj shifre bazohen në të dhënat e statistikës zyrtare. Numri prej 100 mijë të vrarëve është nxjerrë nga Wikipedia, ndërsa nëpër libra të ndryshëm numri i të vrarëve është shumë më i madh.

[8] Kjo lëvizje nuk e pranon shtetin e Izraelit. Ish presidenti i SHBA-ve, Jimmy Carter, në prill të 2008-s, kishte kërkuar që edhe Hamasi të përfshihej në negociata për paqe. Mirëpo izraelitët e refuzuan kategorikisht këtë propozim dhe kështu nuk arriti t’i ulë në tryezë izraelitët me Hamasin. Menjëherë, pas këtij mos suksesi u zhvillua një konflikt i armatosur 22 ditëshe. Përkundër shkatërrimit në objekte civile (100 ton bomba që rrënuan 22 mijë shtëpi) u vranë 1417 (shumica e të cilëve ishin gra, fëmijë dhe pleq), numri i të plagosurve arrinte mbi 10 mijë. Ndërsa nga ana e izraelitëve të vrarë ishin 13-të, prej tyre 3 civilë dhe 10 ushtarë dhe 84 të plagosur. Sipas OKB-së dëmi vlerësohet të jetë mbi 2 miliardë dollarë. (Për më shumë lexo: BILALI, Lutfi, “Konflikti izraelito-palestinez dhe shanset për paqe në Lindjen e Mesme”.