Fuqia telurokratike e cila njihej si fuqia e pa konkurrentë në botën e shek. XX-të u shpërbërë pa zhvilluar ndonjë betejë klasike kundër talasokratëve. Nuk vonoi shumë, këta shpallën edhe shpërbërjen e Federatës Ruse. Bota nuk kishte njohur më parë një rast të tillë, prandaj ky vakum gjeopolitik duhej shfrytëzuar nga forcat talasokrate në krye të së cilës janë (SHBA-të). Kështu kjo mbeti forca e vetme në botë deri më sot, gjithsesi kështu do të vazhdojë për një kohë më të gjatë nëse nuk do të kemi ndryshime të mëdha të cilat mund të fillojnë këtë vit.

Duke qenë se hapësira e gadishullit të Ballkanit për gjatë dy shekujve të fundit ishte territor i pa përfunduar gjeopolitikisht, forcat talasokrate do të duhej të shfrytëzonin rënien e imunitetit të telurokratëve për t’u marrë me Ballkanin. Pak para se të fillonte shpërbërja e Federatës Jugosllave, diktatori i Irakut Sadam Huseini si duket nuk kishte nuhatur ndryshimet e mëdha gjeopolitike që po vinin, dhe më 1990 ai do të pushtonte Kuvajtin!? Ishte kjo një cytje e talasokratëve ose jo do të tregojë historia, mirëpo Sadam Huseini nuk kishte zgjedhur as kohën dhe as vendin e duhur për t’i bërë këto manovrime politike.

Nga viti 1990 talasokratëve ju dolën dy objektiva, anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) ish shteteve anëtare në Paktit të Varshavës si dhe shtetet e Ballkanit, ndërsa shtetet e Lindjes së Mesme do të duhej të hynin nën ombrellën e forcave talasokrate. Tani na janë të njohura numri i shteteve të Evropës Lindore që janë anëtarësuar në BE, përfshirë këtu edhe dy republikat e ish federatës jugosllave, mirëpo për t’i përmbyllur këtë dy objektiva talasokratëve ju duhet ende kohë, gjë që pas shfaqjes së krizës ekonomike botërore vështirë se mund të përmbyllen plotësisht këto objektiva.

Ky punim i imi do të hulumtojë mundësinë dhe mënyrën e arritjes ose mos arritjes së këtyre objektivave të talasokratëve në fushën e lëvizjeve ekstremiste aktuale fetare në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, si dhe mbi zhvillimet politike në këto hapësira gjeografike.

Lindja e Mesme dhe Ballkani

Para se të shkoqisim problemet rreth Lindjes së Mesme shoh të domosdoshëm të sjell gjendjen aktuale demografike të kësaj hapësire gjeografike. Bazuar në censusin e vitit 2011-të, në Lindjen e Mesme jetojnë rreth 413 milion banorë në të cilën arabët përbëjnë shumicën. Në këtë regjion jetojnë një numër i vogël minoritarësh autoktonë sikur hebrenj, armenë, shqiptarë, grekë, koptë, etj., ndërsa popuj me numër më të konsiderueshëm janë persët, turqit dhe kurdët. Shumica dërmuese e këtyre popujve i përkasin civilizimit islam.[1] Nëse do të përjashtonim të krishterët, hebrenjtë, nacionalistët arabë dhe sekte të ndryshme të vogla të cilat jetojnë nën ombrellën e civilizimit islam, themi se shumica muslimane ka edhe një nënndarje tjetër të drejtimeve ose shkollave juridike.[2]

Shpesh herë këto shkolla dominojnë ose përcaktojnë orientimet politike në vendet e tyre.[3] Shembulli më i mirë është Siria dhe Egjipti. Pakica alevite në Siri e ndihmuar nga telurokratët gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë kishte arrit që të sundojë ndaj shumicën sunite për disa decenie me radhë. Kështu është edhe me Egjiptin, pakica nacionaliste e ndihmuar ushtarakisht herë nga telurokratët e herë nga talasokratët kishte arrit të sundojë shumicën fetare.

Në gjithë botën Islame, drejtimi sunit përbën shumicën, pastaj ai shiit dhe drejtimi tretë është dhe më i riu që sot njihen si wehabitë. Themeluesi i këtij drejtimi është Muhammed Abdulwehab (1699-1792).

Ndarja e shteteve të Lindjes së Mesme sipas numrit të banorëve dhe përqindjes fetare[4]

Nr. Shteti Muslimanë Krishterë Alevi Duruzë Të tjerë në Nr.banorëve
Sunitë Shiitë
01. Turqia 80.0 % 03.0 % 16.0 % 1.0 % 78.0 mil
02. Armenia 93.0 % 7.0 % 03.2 mil
03. Azerbejxh. 15.0 % 85.0 % 09.5 mil
04. Irani 07.0 % 92.0 % 1.0 % 78.0 mil
05. Iraku 38.0 % 57.0 % 05.0 % 36.0 mil
06. Siria 74.0 % 03.0 % 10.0 % 07.0 % 03.0 % 22.5 mil
07. Libani 30.0 % 30.0 % 33.0 % 06.0 % 04.5 mil
08. Palestina 95.0 % 05.0 % 04.5 mil
09. Izraeli 16.0 % 02.0 % 01.5 % 80,0  hebr. 08.5 mil
10. Jordania 92.0 % 06.0 % 0.20 % 06.7 mil
11. A.Saudite 85.0% 15.0% 30.0 mil
12. Kuvajti 65.0 % 35.0 % 04.0 mil
13. Bahrejni 40.0 % 60.0 % 01.4 mil
14. Katari 71.5 % 10.0 % 08.5 % 1.0 % 02.2 mil
15. Emiratet 70.0 % 12.0 % 09.0 % 9.0 % 09.0 mil
16. Omani 03.2 mil
17. Jemeni 60.0 % 40.0 % 23.0 mil
18. Egjipti 88.0 % 05.0% 0.7 % 89.0 mil
235.mil 130.0  
365 milion banorë 15.0 mil banorë 18.0 mil banorë 1.5 mil banorë 8. mil hebre +6 të tjerë 413.2 mil

Tabela nr. 1

Dy drejtimet e para politike, kanë lindur që në fillim të shfaqjes së shtetit islam në shekullin e VII-të, gjegjësisht gjatë viteve (661-680), në kohën e Khalifit Muavije. Ndërsa rryma tretë politike ajo e wehabitëve ka lindur si rezultat i kryengritjeve kundër regjimit osman në shekullin XIX-të e drejtuar nga familja al Saud dhe e “reformatorit të fesë” Abduwehab për të cilin janë thënë shumë mendime kontradiktore për të.[5]

Prijësit fetarë në përgjithësi, menjëherë pas shpërbërjes së shtetit Osman kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për bashkimin e lëvizjeve të tyre, mirëpo asnjëherë nuk ia kanë dalë qëllimit, derisa në vitin 1979-të revolucioni islamik iranian në vete korri suksesin e tij të madh. Në anën tjetër, përpjekjet për bashkëkoordinimin e forcave fetare e politike arabe[6] kundër nacionalistëve arabë gjithmonë kishte dështuar. Mirëpo ndodhi që në vitetet (1950-1979) shtetet kolonizatore të ikin nga këto vende, jo se nuk kishin potencial të qëndronin, por largimi ndodhi si rezultat i presionit të përgjithshëm ndërkombëtarë në krye me SHBA-të dhe ish BRSS-në, dhe stërlodhjes së tyre me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Derisa globin e shek. XX-të e dirigjonin forcat telurokratike dhe talasokratike, roli i lëvizjeve islame për qëllime të tyre afatgjata balanconte politikat e këtyre dy forcave, gjë që kjo politikë ju mundësoi të jetonin për një kohë relativisht të shkurtër pa probleme të mëdha deri në shpërbërjen e Perandorisë Ruse më 1989-1992. Forcat talasokrate pa mëdyshjen më të vogël, menjëherë pas instalimit të forcave ushtarake në një pjesë të gadishullit të Ballkanit, do t’ia mësyjnë sërish territorit të Lindjes së Mesme për të dërguar atje ushtrinë e Forcave Perëndimore.

Shteti më strategjik për aleancën e NATO-s ishte Afganistani, njëherësh edhe pushtimi i këtij shteti ishte edhe më i lehti, mirëpo historia ka treguar se këto vende nuk nënshtrohen me forcë. “Malet Hindu kanë vërtetuar edhe një herë që janë parku i varrezave të perandorive. Për afërsisht 40 vjet, afganët s’kanë përjetuar asgjë tjetër përveç luftës dhe, pjesët e shtetit janë aq të varfra, saqë epoka e Gurit do të ndihej e modernizuar karshi tyre. Megjithatë, këta të ashtuquajtur njerëz primitivë, për një dekadë nuk kanë përballuar vetëm agresionin e ushtrisë amerikane – të vetëshpallurit superfuqi – por kanë përballuar gjithashtu edhe 40 aleatët e tyre. Çdo njëri prej aleatëve të Amerikës ka ikur tashmë vjedhurazi jashtë nga lufta e Afganistanit, pa guxuar të shikojë mbrapa”.[7]

Pas dy vjet qëndrimi në Afganistan, kishte ardhur koha për pushtimin e Irak-ut. Ky shtet historikisht ka treguar se është i pa mposhtur, asnjë fuqi botërore nuk ka arrit të qëndrojë e qetë në këtë vend pa dëshirën e popullit. Këtë e vërtetuan të gjitha perandoritë që shkuan atje. Në këtë shtet kanë gjetur rehati vetëm ato fuqi që kanë shkuar atje si çlirimtarë të vërtetë.[8]

Ballkani

Turqinë dhe Slloveninë në këtë hulumtim statistikor nuk e kam përfshi brenda shteteve të Ballkanit. Ndërsa shtetet sikur Kroacia, Rumunia, Bullgaria dhe Greqia edhe pse janë shtete anëtare në BE-së, duket qartë se proceset integruese të tyre ende nuk kanë përfunduar plotësisht, përkundër përcaktimit të tyre se do të ndajnë fatin e tyre me BE-në.  Ndërsa shtetet sikur B.e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria janë shtete në proces të integrimeve dhe që tanimë njihen me emrin shtetet e Ballkanit Perëndimor.

 

Ndarja e shteteve të Ballkanit sipas numrit të banorëve dhe përqindjes fetare[9]

Nr. Shteti Krishterë Muslimanë Protestantë Bekta

shian

Të tjerë në Nr. i banorëve
Katolikë Ortodoksë
01. Kroacia 85 % 04 % 1 % 1 % 9.0 % 04.3 mil
02. B i H 14 % 37 % 48 % 1.0 % 04.0 mil
03. Serbia 05 % 85 % 0.6 % 1 % 3.0 % 07.2 mil
04. Rumania 5.6 % 87 % 5.2 % 2.2 % 20.0 mil
05. Bullgaria 84 % 14 % 2.0 % 07.4 mil
06. Kosova 02 % 04 % 94 % 01.9 mil
07. Mali i Zi 74 % 16 % 10 % 0.63 mil
08. Shqipëria 10 % 7 % 60 % 4 % 19 % 03.2.mil
09. Greqia 90 % 06 % 05 % 11.0 mil
10. Maqedoni 44 % 56 % ([10]) 2.06 mil
59.63 mil
5.2 mil 45.52 mil 8.61 mil 0.2 mil 0.12 mil 2.21 mil 61.69 mil

Tabela 2.

Kur para nesh kemi këtë strukturë nacionale dhe fetare, mësojmë se Ballkani përveç interesit apriori të fuqive globale e kontinentale, është regjion me interes të veçantë të fuqive rajonale. Sa herë që kemi luhatje globale të interesave gjeopolitike, regjioni i parë që i ndien këtë luhatje është Ballkani. Kur ndodhi falimentimi i telurokratikëve (1989-1992), regjioni i parë i cili do të synohet nga talasokratët ishte Ballkani. Ballkani nuk ishte i integruar brenda vetvetes, ashtu siç pretendohej. Shpërbërja e Jugosllavisë edhe një herë tregoi se vullkani ballkanik mbetet i gjallë, edhe për shumë kohë.

Përkundër heshtjes politike dhe uljes së armëve midis popujve në Ballkan në fundshekullin e kaluar, pritshmëria për lëkundje të sërishme të reja është shumë e madhe. Ambiciet njerëzore nuk kanë të ndalur, aq më tepër kur kemi të bëjmë me ambiciet e një ish perandorie e cila nuk ishte mundur në fushëbetejë. Në kohën kur talasokratët menduan se çdo gjë po shkonte sipas planit të tyre, telurokratët do ta shfrytëzojnë rastin e tyre pas instalimit të ushtrisë të koalicionit perëndimorë në Afganistan. Kjo ndërhyrje me ose pa dashje, sikur i dha fuqi ish telurokratëve dhe detyrimisht do të duhej të ndërmerrnin diçka. “Gjuha e Luftës së Ftohtë është rikthyer me hakmarrje, përmes një të folure të përtërirë të alarmit bërthamor, testimit të pretenduar të raketave me rreze të mesme bërthamore, dhe shqetësimeve mbi sistemin e mbrojtjes raketor të NATO-s”.[11]

Duke qenë se Rusia po tregon se është rizgjuar, ajo nuk lë pa u marrë, qoftë edhe me problemet më të vogla të rajoneve më të afërta të humbura dy decenie më parë. Nëse një pjesë e madhe e Ballkanit hë për hë i ka ikur nga dora, Ballkani Perëndimor ende është në proces, prandaj shihet qartë prezenca Ruse në këtë regjion. Asaj nuk i mjafton vetëm prezenca politike dhe ekonomike në rajon, por për të është me interes te veçantë edhe prezenca ushtarake, prandaj ajo nuk do të vonojë tregoi se është e gatshme për të, kur ajo bëri manovrat ushtarake në Serbi dhe instaloi një arsenal të madh ushtarak në këtë vend. Manovra e fundit ruso-serbe e fundvitit 2014 u sulmua ashpër nga SHBA-të dhe Perëndimi në përgjithësi, mirëpo, Ministri i Mbrojtjes serbe Gashiç për t’i ulur tensionet u shpreh:  “…në lidhje me stërvitjen se vendi i tij është neutral ushtarakisht dhe është i hapur për bashkëpunim me katër superfuqitë si Bashkimi Europian, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina”.[12]

Janë të njohura marrëdhëniet vëllazërore midis Rusisë dhe Serbisë, mirëpo një shtet tjetër, anëtare e BE-së, dhe njëkohësisht anëtare e Paktit të NATO-s të tregojë aderimin e saj ndaj Rusisë është për t’u habitur. Përkundër krizës së thellë ekonomike që po përjeton ky shtet, kohët e fundit sikur po jep shenja se dëshiron të bëjë një marrëveshje ushtarake me Rusinë. Greqia do blerjen e raketave S-300, Tor-M1. Shumica e analistëve ushtarak thonë se këtë marrëveshje të dëshiruar duket se e ka si kundërpërgjigje për të baraspeshuar arsenalin e armatimit të saj kundër Turqisë e cila thuajse çdo ditë nxjerr fotografi publike për përfundimin e prodhimit me sukses të avionëve luftarak F-16-të dhe armatime motorike të sofistikuara. Turqia dhe Greqia edhe pse dy shtete janë anëtare në Paktin e NATO-s, kanë një kontest të hapur për Qipron turke.

Turqia duke shpreh aderimin e saj në BE, si e tillë, ajo pretendonte të jetë ombrella e popujve vëlla me myslimanët e Ballkanit, mirëpo që nga dita e zbehjes së këtij aderimi, ajo ka ndryshuar strategji. Turqia gjithnjë e më shumë po tregon se është forcë rajonale,[13] ajo duhet të ketë qasje në rajon, prandaj interesi për Ballkanin nuk do të zbehet përderisa edhe shteti grek ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

Si duket Qeveria turke qysh herët e kishte nuhatur se shtetet anëtare të BE-së nuk e duan atë brenda kufijve të saj, prandaj që moti kishte filluar ndërtimin e marrëdhënieve të mira me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. “Berisha, si i vetmi nga liderët themelues të kësaj nisme, i pranishëm në takim, vlerësoi vizionin e ish-presidentit turk, Turgut Özal dhe Kryeministrit Suleyman Demirel që themeluan këtë iniciativë”.[14]

Turqia i qëndroi pranë Shqipërisë që në ditët e para të demokratizimit të saj. Ajo ishte nismëtare e ndërtimit të rrugës së vjetër të mëndafshit Egnatia. Ish kryeministri Berisha në takimin e njëzet vjetorit të themelimit të Oragnizatës BEDZ[15] tha: “Duhet të mbajmë parasysh se rruga më e vjetër që lidhte kontinentet kalonte përmes këtij rajoni, rruga Egnatia, rruga e mëndafshit. Ka një debat të gjatë për korridorin 8-të, i cili është një mijë kilometra dhe që besoj se ka ardhur koha që vendet tona të angazhohen për ndërtimin e këtij Korridori, i cili është edhe një nga segmentet kryesore e më të rëndësishme të rrugës së mëndafshit”.[16]

Në anën tjetër edhe pse Greqia është shtet anëtare e NATO-s, ajo sikur nuk është e sigurt me këtë aleancë dhe herë pas herë jep shenja pakënaqësie dhe sikur dëshiron të largohet nga kjo aleancë. Thuhet se, këtu, para së gjithash është ndjenja fetare, panortodoksizmi. “Lidhur me Ballkanin përveç pragmatizmit të përgjithshëm të atlantizmit, që përfaqësohet nga SHBA-ja dhe nga Pakti NATO, ndikimin e vet të vazhdueshëm e manifeston edhe gjeopolitika evroaziatike, në mënyrë të veçantë, faktori rus”.[17]

Greqia si shtet anëtare në BE dhe në Paktin NATO, jep shenja luhatjeje duke “kërcënuar” BE-në dhe Paktin NATO se interesat e saj përkojnë më shumë me Rusinë, kur ajo paratregon se do të blejë raketa nga Rusia, dhe kështu vepron edhe Serbia e cila edhe pse ka shprehur aderimin e saj për t’u bërë shtet anëtare në BE, bën manovra ushtarake me Rusinë.[18]

Për sa më sipër u tha, këto nuk janë paradokse por kemi të bëjmë me linja të qarta përkundër deklarimit të gjeopolitikëve stabile në rajonin e Ballkanit. Marrëveshjet ushtarake sikur sinjalizojnë për një gjeopolitikë shumë të koklavitur dhe shumë të përzier. Gjeopolitika e drejtuar nga verilindja drejt jugut (Moskë-Beograd-Athinë), sikur po kryqëzohet me drejtëzën horizontale e filluar nga perëndimi: Tiranë-Stamboll, e cila mund të shkojë deri në Teheran.

Këtë shqetësim na e vërteton edhe lideri i fundit i BRSS-së Mihael Gorbaçov i cili me ç’rast thotë: “Dëgjohet vetëm për sanksione të SHBA-së dhe BE-së kundër Rusisë. I kanë mendtë në kokë? SHBA-të “po na çojnë në një luftë të re të Ftohtë, duke tentuar haptazi të zbatojnë idenë e tyre gjeniale se duhet të triumfojnë gjithmonë”…ku do të na çojë e gjithë kjo? Lufta e Ftohtë është e deklaruar tashmë. Dhe tani? Nuk mund të them me siguri se Lufta e Ftohtë nuk do të na çojë në një luftë të vërtetë”[19]

 

Konkluzion

Interesat e Perëndimit në përgjithësi dhe të BE-së për Ballkanin janë shumë të qarta, gjithashtu edhe Rusia është shumë e qartë për sa i përket pretendimeve të saj për këtë gadishull. Në anën tjetër interesat e SHBA-ve për Lindjen e Mesme janë siç thonë ata jetike. I gjithë ky territor është i populluar me shumicë dërmuese muslimanësh dhe krishtero-ortodoksësh! Se si do të mund të krijohet harmonia për të bashkëjetuar, do të tregojë koha.

Nëse Shqipëria (shqiptarët në Ballkan), sikur të mos kishin lejen e SHBA-ve për këto marrëdhënie me Turqinë, a thua do të kishin këtë vëllazërim!? S’do mend se Turqia ka interesa historike me këtë vend, mirëpo, ambiciet e saj nuk do të realizoheshin asnjëherë sikur të mos kishte lejen e bashkanëtarëve të saj në NATO me në krye SHBA-në.

Ballkani historikisht ka  nxjerrë aromë tërheqëse dhe shumë të nxehtë politikisht. Kështu ka joshur superfuqitë që në kohët e lashta, në mesjetë, si dhe në kohët moderne. Ka treguar se është vend burimi i përplasjeve dhe interesave të mëdha gjeopolitike. Ai që e ka nën mbikëqyrje këtë hapësirë gjeografike, ka mundësi të ketë nën mbikëqyrje jo vetëm një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme, por thellë shumë thellë në linde të kontinentit të Azisë, për shkak se kjo hapësirë gjeografike, ndryshe është vetë Evroazia. Në të janë ngritur qytetërimet e tri civilizimeve të mëdha botërore.

Turqia bazuar për sa më sipër u tha, duket të jetë shteti me ndikimin më të madh për të luajtur politikat e mëdha botërore. Pozita e saj gjeopolitike dhe historike sot i ka dhënë asaj një mundësi të luajë një rol të madh që të mund të bëhet çelësi i cili do t’i hapte portat e shumë ndryshimeve ose lëvizjeve të mëdha politike, si dhe politikave në shumë fusha të tjera gjeostrategjike në botë, por me theks të veçantë do të veçonim Ballkanin dhe Lindjen të Mesme.

Bazuar në historinë e shteteve, si rezultat i interesave të momentit, ka ndodhur që aleancat midis shteteve kanë pësuar ndryshime, dhe atë në momentet kur askush nuk do ta priste. Shikuar në mënyrën e sjelljes së politikave të BE-së karshi shtetit turk, ky shtet edhe pse është shtet anëtar i NATO-s, për shkak të shtrirjes së saj të hershme historike në Ballkan dhe në Azinë Qendrore, ka mundësi të bën një lëvizje dhe të dalë nga kjo aleancë. Turqia ka treguar se interesi saj ishte dhe mbetej integrimi i saj në BE, mirëpo mos interesimi i shteteve anëtare të BE-së për Turqinë sikur po ia jep mundësinë që ky shtet të ndryshojë pozitat e saj gjeostrategjike.

Turqia kohëve të fundit ka dhënë shenja përafrimi me Rusinë për interesa ekonomikë dhe energjetikë, mirëpo këto shenja nuk përjashtojnë mundësinë edhe për një bashkëpunim më të gjerë në marrëdhëniet ushtarako-politike. Turqia nëse nuk do të arrijë t’i mbrojë interesat e saj në Ballkan dhe në Lindje të Mesme me anë bashkëpunimit të ngushtë me perëndimin, ajo në një kohë vendimtare mund të ndërrojë kursin gjeopolitik. Ekonomia e perëndimit është në rënie, dhe për një kohë të shkurtër kjo fuqi ekonomike nuk do të mund të dominojë në botë, pastaj popujt e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme nuk e kanë njeriun perëndimor shembull ose simbol të mirësisë zhvillimit njerëzor.

Interesat e Turqisë në Lindjen e Mesme nuk janë vetëm interesa ekonomikë, por e kaluara e këtij shteti me këtë rajon ka një histori të përbashkët dhe të gjatë, dhe tani, gjendja aktuale sikur po ia jep shansin këtij pushteti të bëhet “shpëtimtari rajonit”. Mirëpo këtë rol Turqia nuk do të mund ta luajë nëse nuk do të ndryshojë kursin politik me kurdët, me rajonin dhe me Perëndimin. Politikat momentale dhe gjendja aktuale nuk do t’ia lejojë Turqisë të bën këto manovrime, mirëpo aleanca e pa shpallur midis Rusisë, Kinës dhe Iranit kundër perëndimit një ditë vendimtar mundet që ta joshë.

Nëse gjendja aktuale nuk do të shkon drejtë përmirësimit, dhe nëse nuk do të kemi një marrëveshje serioze midis palestinezëve dhe izraelitëve, themi se do të kemi ndryshime të mëdha gjeopolitike në botë. S’do mend se ky ndryshim nuk vjen pa një luftë të përgjakshme, ndërsa pikëtakimi i këtyre dy aleancave pas përfundimit të problemit të Ukrainës dhe shteteve përreth saj, do të ishte Maqedonia dhe Izraeli.

[1] Shih tabelën nr. 1

[2] Hanefij, xhaferij, shafiij, malikij dhe hambelij (shumica e dijetarëve wehabitë preferojnë t’i njohin si pjesëtarë të shkollës hambelite, prandaj nuk do t’i fusim si shkollë e veçantë edhe pse janë të tillë).

[3] Kemi 22 shtete arabe, shkollat juridike shpesh here arrijnë të përcaktojnë fatin e një shteti.

[4] Wikipedia (Mars 2015). P.S.: Zyrat e statistikave ende nuk kanë nxjerrë të dhëna zyrtare të drejtimit politik wehabit në shtetet islame në Lindjen e Mesme, e as në ndonjë shtet të botës Islame.

[5] “…vehabizmi ishte në dëm të unitetit islam dhe në dobi të perandorive klonialste perëndimore, për të cilën hilafeti ishte pengesë për arritjen e ambicieve të tyre…” (http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2799)

[6] Asnjëherë, në asnjë kohë, organizatat sikur: Vëllezërit muslimanë, lëvizja e nurxhive, vehabinjtë dhe të tjera nuk arritën t’i koordinojnë politikat e tyre kundër neokolonizatorëve, derisa nuk plasi revolucioni brendshëm arab më dhjetor të 2010 në Tunizi.

[7] Revista Paqja.

[8] Perandoria e Maqedonisë dhe perandoria e Kalifëve kanë jetuar në paqe, ndërsa të tjerat janë kthyer të turpëruara.

[9] Bazuar në Wikipedia (Mars 2015). Fatkeqësisht, përveç Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë shtetet tjera nuk kanë raportuar përqindjet fetare. Përqindja fetare rezulton të jetë e barabartë me atë nacionalen në këtë gadishull, me përjashtim të disa sllavëve që një përqindje e vogël është myslimane.

[10] Qeveria e Maqedonisë nuk ka dhënë asnjë përqindje zyrtare mbi fetare, mirëpo ne jemi bazuar në rezultatin e WIN/Gallup-it i cili u publikua në gazetën Koha, e mërkurë, 15 prill, 2015.

[11] IGNATIUS, David, “Gazeta 55, e premte, 20 mars 2015.

[12] http://www.oranews.tv/rajoni/serbi-rusi-stervitje-te-fshehta-ushtarake-ne-kufi-me-nato-n/

[13] Se Turqia është vërtetë fuqi rajonale e thonë shumë politikanë dhe analistë, ndër ta është edhe Ricardo Franco Levi i cili thotë: “Turqia është dhe tashmë ndihet një fuqi e madhe rajonale e cila, si e tillë, nuk mund të pranojë që t’i përmbajë aspiratat dhe ambiciet e veta në tablonë e vijëzuar nga interesat e përbashkëta të vendeve evropiane dhe ndaj, për këtë arsye nuk ekziston asnjë mundësi që të mund të asimilohet si një vend i thjeshtë anëtar i Bashkimit”.

[14]  http://www.abcnews.al/lajme/ekonomi/5/20276

[15] Bashkimi Ekonomik të Detit të Zi

[16]   http://www.abcnews.al/lajme/ekonomi/5/20276

[17] AJVAZI, Shemsi, “Gjeopolitika”, b. Dija, Prishtinë, 2009, f.190.

[18] Manovra ushtarake Serbi-Rusi në territorin e Serbisë më 15.11.2014

[19] Portali/ Tetovanews…30.02.2014 ora 11-të