ABSTRAKTI

Punimi ynë i përket letërsisë përkatësisht është një studim për veprën letrare dhe interpretimin e saj. Objekt studimi është romani “Pallati i Ëndrrave” i Kadaresë, që do të studiohet në kontekst të interpretimit në dy kohë: gjatë periudhës së komunizmit vepra interpretohej se ishte kundër Perandorisë Osmane, ndërsa pas rënies së komunizmit vepra filloi të interpretohet si kundërkomuniste.

Në kontekst stilistik, po për shkak të kësaj përftese të re, analogjisë midis sistemit totalitar dhe atij osman, në studime të ndryshme kjo vepër u quajt edhe “Himn i shumëkuptimshmërisë” (Alain Bosquet), apo “Kryevepër e fshehur” (Bashkim Kuçuku).

Studim do të paraqesë edhe kahjet e studiuesve të dy periudhave: komuniste dhe paskomuniste.

Fjalët bazë: Vepra letrare, koha, figura, interpretimi, anologjia.

 

  1. HYRJA

 

Çdo tekst ka një strukturë, prandaj edhe çdo vepër letrare është e ndërtuar mbi një strukturë. Njësoj është edhe me rrëfimin e trilluar (siç thonë për romanin shumica e teoricienëve të botës). Për këtë shkak është e udhës që fillimisht ta kuptojmë strukturën e veprës letrare përkatëse për të cilën do të bëjmë fjalë, rrëfimit, përkatësisht romanit. Siç thamë, shumica e përkufizimeve për romanin e nxjerrin atë si një rrëfim: “Romani është rrëfim i trilluar mbi dashurinë”, (thotë Pater Heut në vitin 1670); “Romani është rrëfim i trilluar individual” (thotë Erih Kahler); “Romani është lloji tipik narrativ”, (thotë Zherar Zheneti); “Romani është epope subjektive në të cilën shkrimtari kërkon t’i lejohet që botën ta paraqesë në mënyrën e vet”, (thotë Gëte, ndërsa mendimin e tij e pasojnë edhe Volfgang Kajzer, Fridrih Shlegel dhe Henri Xhejms. Edhe përkufizimi më i komplikuar për romanin, por edhe ai më i thjeshti, pashmangshëm atë e definojnë si një rrëfim. Përkufizimi minimal i romanit, që nga fillimi e deri më sot, është se ai është rrëfim që ka personazhe dhe ngjarje.

Pra, romani është një rrëfim që ka një strukturë. Struktura e romanit është e përbërë nga një system i shenjave. Ndërsa Seymour Chatman rrëfimin e sheh si strukturë semiotike, e cila përbëhet nga shumë shenja narrative.[1]

Narracioni është një strukturim i një ngjarjeje. Ndërsa, çdo roman i nënshtrohet dy strukturave narrative: bazike dhe unike. Në strukturën unike secili roman dallon për ndonjë veçori unike që ka, ose klasifikohet në një nga formacionet letrare (për risitë që sjell vepra). Nëse rrëfimi është një strukturë semiotike dhe një strukturim i një ngjarjeje; e kjo është narracioni, ai është i ndërtuar në nivele narrative dhe ka narrator (ai që rrëfen), vokalizator (ai që dëgjon), fokalizator (ai që sheh), narrater (atij të cilit i flet narratori), si dhe disa veçori tjera që janë me interes për fushën e narratologjisë.

Ismail Kadare e shkroi “Pallatin e Ëndrrave”, pra ai është autori, ndërsa veprën e shkroi për lexuesin. Ai e krijoi një narrator, në këtë rast të gjithëdijshëm, i cili i drejtohet një narrateri, edhe në këtë rast dy llojesh: të implikuarit (sipas Seymour Chatmanit; Umberto Eco këtë lloj e quan lexues model), dhe të jashtmit. Megjithatë, edhe nga tërësia e veprës “Pallati i Ëndrrave” e kuptojmë se edhe narratori, por edhe narrateri janë qenie fiksionale, sepse tashmë është vërtetuar ekzistenca e botëve paralele: reale dhe narrative.

Pikërisht ky ka qenë edhe çelësi i “shpëtimit” të Kadaresë me këtë vepër, dhe jo siç e quajnë një varg studiuesisht, se kjo vepër ishte “shpëtimi” i tij për t’u klasifikuar si disident. Pra, Kadare, të themi hipotetikisht, me njohjen e narratologjisë, arsyetoi se vepra është fiksionale dhe nuk i përket botës reale, atëherë totalitare, pavarësisht se ajo fliste po për atë realitet (të interpretuar atëbotë si realiteti i totalitarizmit osman): e që i drejtohej edhe një realiteti konkret (totalitarizmit komunist). Pra, Kadare arsyetohej se narrateri i tij (atij të cilit i rrëfehej historia nga ana e narratorit) ishte fiksional, megjithëse ai herë-herë edhe shfaqej shumë qartë, si në këtë rast:

 

“Pushimi i mëngjesit, përsëriti me vete Mark-Alemi. Ishte e mundur që ishte ende mëngjës?”

Pra, në fjalinë e dytë të këtij shembulli narratori i drejtohet direkt narraterit, për dallim se në fjalinë e parë nuk vepron kështu por vetëm rrëfen.

Siç shihet edhe nga shembulli, Kadare me plot vetëdije u drejtohet dy narraterëve, që në realitet nënkupton dy llojeve të lexuesve/interpretuesve; lexuesve të të dy kohëve. Mirëpo, me ndërtimin e një paralelizmi lexuesish/interpretuesish Kadare e ka fshehur, aq sa ka mundur, objektin e trajtimit të tij: totalitarizmin në totalitarizëm, dhe e ka deklaruar një objekt analog, Perandorinë Osmane.

Por, shtrohet pyetja se, a u vërejt analogjia nga ana e sistemit?

Përgjigjja e kësaj pyetje gjendet brenda nënkapitullit vijues.

  1. “PALLATI I ËNDRRAVE” NË KOMUNIZËM

“Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë konsiderohet një nga romanet e ciklit osman të këtij autori. Pra, aty Kadare godet Perandorinë Osmane me ironinë e tij, duke krijuar kështu veprën letrare më ironike dhe, njëkohësisht më antitotalitare të letërsisë shqipe: një jetë të drejtuar plotësisht nga ëndrrat.

Po të bëjmë një analizë gjenetike të idesë së veprës, siç janë bërë për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që për të u tha se ishte një lindje nga preokupimi i derivuar nga provokimi që i kishte bërë vepra e Gogolit “Shpirtra të vdekur”, për “Pallatin e Ëndrrave” mund ta ripërsërisim atë që kemi thënë edhe më parë[2], se “Pallati i Ëndrrave” është një roman i madh që është frymëzuar nga një tregim i vogël “Deklarata” nga romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qosjes, e që edhe kjo e fundit është e frymëzuar nga një roman tjetër i madh, “Procesi” i Franc Kafkës. Siç thotë edhe studiuesi Ag Apolloni në studimin e tij për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” – “Paradigma e Proteut”, ngjashmëritë e tilla nuk ua ulin vlerën veprave të tyre, por tregojnë se si veprat lindin veprën[3].

Megjithatë, “Pallati i Ëndrrave” i Islamil Kadaresë gjatë periudhës së komunizmit interpretohej se ishte kundër Perandorisë Osmane, ndërsa vetëm pas rënies së komunizmit filloi të interpretohet si kundërkomuniste. Interpretohej si kundër Perandorisë Osmane sepse: i drejtohej aq drejt Perandorisë Osmane, personazhet kishin emra turkë; kryepersonazhi quhej Ebu Qerim, pastaj aludohej për një pallat që kishte emër turk “Tabir Saraj”, por edhe se personazhet kishin emra turko-arabë: Mehmet Qyprilliu, Fazil Ahmet etj.

Megjithëse kishte këto elemente, vepra nuk i shpëtoi censures. Ajo u lexua nga bashkëpunëtorët e sistemit, dhe e pësoi anatemimin. Duhet ditur se “Pallati i Ëndrrave” kurrë nuk u botua si i plotë në kohën kur u shkrua. Autori ishte i vetëdijshëm se alegoria në romani i tij do të dallohej nga sistemi totalitar komunist. Për këtë dy kapitujt e parë të romanit i botoi në vitin 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”, ndërsa tërë tekstin e botoi tre vjet më vonë, në vitin 1981, kur ribotohet përmbledhja e lartcekur. Edhe pse e përdori këtë trik, prapë nuk i iku syrit të sistemit, që, edhe në një ekzemplar të përmbledhjes, në margjina, vlerëson/cesuron veprën, gjë që përmban dëshminë më autentike të leximit të veprës së tij me sy censurues në periudhën e sistemit komunist:

“Cilat institucione të superstrukturës së sotme tall Ismaili këtu? Dyshoj se kam të drejtë se ironizon KQ dhe MPBr…”

Pastaj:

 

“Pse? Ministra quheshin atëherë? Halli i autorit është gjetkë. Fjalët (termat) ministër, shef etj., Ismaili i përdorë me tendencë, si punë sinjalesh për të nënkuptuar me anë të analogjisë historike kohën e sotme dhe institucionet e sotme të superstrukturës tonë.”[4]

Pra, një lexues anonim, si duket anëtar i devotshëm i partisë, apo një kritik i porositur-censuror, apo një punëtor i sigurimit, kap dioptrinë ideologjike dhe vlerëson Kadarenë si “autor dinak”, i cili “përmes Tabir Sarajit vë në lojë Komitetin Qendror dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurorinë etj.[5]

Ky ekzemplar, me tregime dhe novela, është botimi i dytë, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, viti 1981, ndërsa gjithsej ka 444 faqe. Shenjat e para të leximit censurues fillojnë në faqen 279, përkatësisht në kapitullin e parë, ku figuron një pikëpyetje e madhe dhe një nënvizim te pasuesi:

“Jo hyrja e ndikimeve të jashtme, por, përkundrazi, mbyllja e tyre, jo depërtimi, por izolimi, pra jo rekomandimi, por mosrekomandimi është një nga kriteret bazë të Tabir Sarajit”

Ndërsa, në parafletët e para të librit është shkruar, me shkrim dore, një emër, Mushteba Pollozhaj (lexo Pollozhani), Fakulteti Filologjik, 14 mars, 1993, Tiranë. Aty figuron edhe nënshkrimi i tij.

Për shkak se sistemi e kishte kuptuar alegorinë e Kadaresë, një hiporkrizi estetike, në shkurt të vitit 1982, në një plenium të veçantë të Lidhjes së Shkrimtarëve, romani kritiiikohet shumë rëndë për aluzione kundër sistemit komunist. Për këtë shkak, pas një fjalimi të Dritëro Agollit, atëherë kryetar i LSH-së, vepra edhe ndalohet.

“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” botohet si roman i plotë vetëm pas rënies së regjimit komunist, me titull “Pallati i Ëndrrave”, në vitin 1996, nga shtëpia botuese “Dukagjini”, në Kosovë.

  • “PALLATI I ËNDRRAVE” PAS KOMUNIZMIT

Në romanet e tij, kryesisht në romanet e ciklit osman, Kadare i kthehet historisë, duke krijuar romane specifike me një sfond historik[6], të cilat vepra edhe krijojnë mundësinë e dy leximeve: të partit lexim si romane me temë historike, ku pushtuesi paraqitet si pushtues, dhe; të dytit lexim si romane figurë/symbol, ku realiteti fshihet pas interpretimit historik. Të këtij modeli janë kryesisht romanet e ciklit osman; Kështjella, Pashallëqet e mëdha, Komisioni i festës dhe Pallati i Ëndrrave,.

“Pallati i Ëndrrave” është roman ku Kadare i drejtohet lexuesit vigjilent, i cili sheh përtej bregut. Ai me qëllim e ndërton rrëfimin në këtë mënyrë: jep shenja antitotalitarizmit por e bart vetëdijen diku tjetër, me shenja të tjera, por pa e tepruar sa për ta pësuar. Kështu, pas ndalimit të veprës ai edhe e kupton se nuk mund t’u përmbahet “parimeve ideologjike të partisë mbi artin socialist”, prandaj e lëshon vendin. “Ky roman është shkruar në apogjeun e furive të tij të brendshme kundërtotalitare[7]”, thotë studiuesi Bashkim Kuçuku.

Vetëm pas rënies së komunizmit Kadare i (ri)kthehet veprës së ndaluar, kryeveprës ironike të letërsisë shqipe, dhe kështu e afishon dhe e rindërton atë, ku tash e shpreh pa cezurë atë që ka dashur ta thotë vërtet me veprën e tij të shkruar në totalitarizëm e kundër totalitarizmit. Përveç mosndërrimit të numrit të kapitujve (tregimeve), tani Kadare ndërron thuajse gjithçka, madje edhe emrin e kryepersonazhit: nga Ebu Qerimi në Mark-Alemi.

Nëse marrim parasysh kohën kur është shkruar romani Pallati i Ëndrrave, doktrinën dhe sistemin e asaj kohe dhe oponencën që merr vepra, romani pa dyshim se na del një kundërutopi. Mirëpo, është shumë e rëndësishme ajo që vëren studiuesi Sabri Hamiti, në plan të analogjisë të Kadaresë me Franc Kafkën. Ai thotë se:[8]

“Si e tillë, vepra, edhe pa u afishuar, merr një trashëgimi të strukturimit letrar kafkian (Procesi); dekonstrukton një system shqëror totalitar, duke iu referuar Perandorisë Osmane; krijon një alegori për sistemin shoqëror totalitar shqiptar, me shenja të dallueshme e me evidenca. Vepra, pra, bëhet një kryevepër në fushën e letërsisë së ideve, e ngjitur në nivelin e letërsive të tjera të shekullit njëzet.”[9]

Mundësia që romani i Kadaresë, sidomos Pallati i Ëndrrave, të lexohet (interpretohet) në dy kohë; roman kundër Perandorisë Osmane; roman kundër totalitarizmit, pra një vepër që në plan të parë sulmon Perandorinë Osmane por në plan dytësor aktualitetin totalitar, bën që vepra e Kadaresë të lexohet vazhdimisht. Po kështu, është pikërisht ky element që edhe këtë vepër e bën ndër veprat më të arrira të këtij shkrimtari, por edhe veprën më antitotalitare të shkruan në totalitarizëm.

Në aspektin stilistik, po për shkak të kësaj përftese të re, analogjisë midis sistemit totalitar dhe atij osman, në studime të ndryshme nga studiues vendorë dhe të huaj, “Pallati i Ëndrrave” është quajtur edhe “Himn i shumëkuptimshmërisë” (Alain Bosquet), apo “Kryevepër e fshehur” (Bashkim Kuçuku).

“Më tepër sesa alegori apo rrëfenjë filozofike, ky libër i bukur dhe fërgëllues është një himn i shumëkuptishmërisë.”(Alain Bosquet)

Pallati i Ëndrrave, siç dihet, në kohën e komunizmit ishte vetëm një novelë modeste që nuk zgjoi edhe aq interesimine studiuesve, por u bë kryevepër pas amplifikimit ideor e strukturor në demokraci. Mirëpo, është me rëndësi që këtu të përmendim edhe një element tjetër: kahjet e studiuesve nga dy periudhat. Shumica e studiuesve të Kadaresë “Pallatin e Ëndrravë” si vepër antitotalitare ndaj komunizmit e interpretuan vetëm pas rënies së sistemit, ndërsa gjatë sistemi, nga shumica e studiuesve vepra interpretohej si kundër Perandorisë Osmane. Kjo pra paraqet edhe kahjet e studiuesve nga dy periudhat. Në fakt, për dallim nga studiuesit, dhe duke u bazuar në projeksionin ideor, strukturor e tematik që ka vepra, e që funksionon për mrekulli, mendojmë se autori “varkën e shpëtimit” e sheh ndryshe prej tyre. Pra, Kadare e mendoi gjithçka.

Përveç me romanet Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963),  Kështjella, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Viti i mbrapshtë, Dosja H etj., Kadare mbetet penë e pakalueshme në letërsinë shqipe edhe me romanin e tij, kryeveprën antiutopike të letërsisë shqipe, romanin Pallati i Ëndrrave.

Ndoshta edhe në letërsinë e gjithë botës, vetëm “Pallati i Ëndrrave” është vepra ku vërtet ëndrra ka përparësi në raport me realitetin.

REFERENCA

  1. Kadare, I, Vepra 11, Onufri, Tiranë, 2009.
  2. Hamiti, S, “Utopia letrare” ASHAK, Prishtinë, 2013.
  3. Apolloni, A, “Paradigma e Proteut”, OM, Prishtinë, 2012.
  4. Jaha, B, “Struktura e ironisë”, OM, Prishtinë, 2014.
  5. Kadare, I, “Emblema e dikurshme”, Naim Frashëri, Tiranë, 198.1

 

 

Punime shkencore:

  • Alain Bosquet, “Himni i shumëkuptimshmërisë”;
  • Bashkim Kuçuku, “Kryevepër e fshehur”;
  • Zherar Zheneti, “Kufijtë e rrëfimit” (përkthim nga Qerim Ujkani);
  • Volfgang Kajzer, “Kush e rrëfen romanin” (përkthim nga Qerim Ujkani);
  • Henri Xhejms, “Arti i romanit: (përktheu Nexhat Kërnja);

Gazeta:

 

  • Koha Ditore, data 18 tetor 2008, shkrimi me titull “Kadare në sytë e një censori anonim partiak”, autor Afrim Demiri.

[1] Ag Apolloni, Paradigma e Proteut, OM, Prishtinë, 2012, f. 99.

[2] Besnik Jaha, “Struktura e ironisë”, OM, Prishtinë, 2014, f. 123.

[3] Ag Apolloni, “Paradigma e Proteut”, OM, Prishtinë, 2012, f. 291.

[4] Këto citime janë marrë nga një një artikull i Kohës Ditore, data 18 tetor 2008, shkruar nga gazetari Afrim Demiri.

[5] Koha Ditore, data 18 tetor 2008, “Kadare në sytë e një censori anonim partiak”, Afrim Demiri.

[6] Ag Apolloni, “Paradigma e Proteut”, OM, Prishtinë, 2012, f. 35.

[7] Ismail Kadare, Vepra 11, Onufri, Tiranë, 2009, f. 244.

[8] Besnik Jaha, Struktura e ironisë, OM, Prishtinë, 2014, f. 120

[9] Sabri Hamiti, Utopia letrare, ASHAK, Prishtinë, 2013, f. 134.