Atmosfera shqiptare gjatë muajit nëntor ka qenë shprehje e politikës dhe realiteteve që e sundojnë këtë vend. Gama e lëvizjeve që janë përjetuar brënda një muaji kanë një lidhje të natyrshme edhe me gamën e ngjarjeve ndërkombëtare të ndodhura në këtë hark kohor. Nëse do të thoshim me bindje se ku po shkon ky vend me zhvillimet e tij politiko ekonomike, mund ta themi me plot gojën se kemi një manifestim të së keqes nga politika në raport me atë çfarë kërkon qytetari shqiptar, kemi lëvizje aspak diplomatike nga njerëzit e diplomacisë duke patur një ndikim të madh edhe në qëndrimet e ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë.
Kulmi i këtij realiteti është moshapja e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE, si një rezultat i disa kushteve që nuk janë realizuar dhe që për europianët është një standart i kërkuar për politikën shqiptare. Po zhvillohen debate të mëdha në këtë fund nëntori në lidhje me “fajtorin” e moshapjes së këtyre negociatave që në tërësinë e tyre janë debate për kapital politik të njërës palë në pushtet dhe të opozitës që ka përcaktuar se keqqeverisja në Shqipëri është realiteti më i hidhur. E gjithë kjo ka një ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik që po vuan pasojat e këtij debati. Në mes të kësaj situate qëndron i quajturi Vetingu për gjyqësorin shqiptar, për sjelljet e të dy krahëve të politikës ndaj qëndrimeve për vetingun duke u manifestuar në këtë mënyrë interesat immediate të njërës palë të politikës në pushtet ndaj palës tjetër në opozitë. Në tavolinat e opinioneve që diskutohen në Shqipëri, analistë të ndryshëm po kërkojnë të gjejnë module mendimesh se cili nga palët është më i besueshëm në argumentat e tij për këtë qasje që Europa i bëri Shqipërisë përmes kancelares gjermane Merkel si përfaqësuesja e vendit më të fuqishëm europian.
Sëmundjet që kanë përfshirë qeverisjen e sotme shqiptare dhe kërkesat që kanë ndërkombëtarët, janë një e keqe që ka nevojë për tu shëruar para së gjithash jo si qejfbërje për ndërkombëtarët, por si kërkesa në shërbim të qytetarëve. E them këtë sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për drogën që ka mbirë si bimë e keqe në një vend me resuerse të mëdha shumë herë më fitimprurëse dhe të dobishme për shtetasit shqiptarë. Nuk mund të bësh sikur nuk e ndjen një situatë korrupsioni në tërë vendin veçanërisht në administratën publike që po gërryen si një kancer shoqërinë shqiptare dhe që nga ana tjetër vetë kryeministri apo qeveritarë të tjerë bëjnë sikur nuk e shohin dhe gjejnë fjalë për të thënë se gjithshka është rozë në këtë vend, në një kohë që niveli i jetesës, mirëqenia e popullatës, papunësia e madhe, emigracioni në rritje e të tjera, janë tregues të një defiçence reale të kësaj qeverisje. Rritja gjithnjë e më shumë e kriminalizimit nga grupet e strukturuara kriminale të larjes së hesapeve dhe të krimit ordiner, janë një moment i rëndësishëm për të thënë se Europa nuk mund të pajtohet aq më tepër kur kërkon dekriminalizimin e parlamendtit shqiptar që për fatin e keq po injorohet në mënyrë sistematike edhe pse ligjet shqiptare janë të hartuara për këtë proçes. Duke qenë se ndodhemi vetëm shtatë muaj larg zgjedhjeve politike parlamentare në Shqipëri, ka një tension të madh në lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme për mosblerjen e votës, për besueshmërinë në proçesin e këtyre zgjedhjeve. Janë cilësuar si thmbra e Akilit, jo vetëm nga opozita, por edhe ndërkombëtarët për liritë dhe të drejtat njerëzore në një sistem demokratik të munguar në Shqipëri. Përballë këtij realiteti të këtij interesimi të politikës dhe të shqoqërisë civile, nëse do ta quanim të tillë përfaqësimin e popullit, gjatë muajit nëntor ka patur një përplasje qëndrimesh për sjelljet e kryeministrit Edi Rama me kandidaturat për president në SHBA. Është fakt se shumë herët, për kandidatin republikan Donald Trump, ka pasur një qëndrim personal të Edi Ramës në raport me kandidaten demokrate Hilari Klinton. Përfundimi i zgjedhjeve përmbysi ëndërrimet e kryeministrit shqiptar duke krijuar një situatë sa qesharake për parashikimin e një njeriu që qëndron në krye të qeverisë shqiptare aq edhe serioze për shtetin shqiptar që vihet në një fokus të padëshirueshëm në raport me SHBA që është një partner strategjik i Shqipërisë në rajon. U thanë e çfarë nuk u thanë në lidhje me fitoren e Trump dhe kjo është çështje e vetë amerikanëve. Por kur vjen puna në marrëdhëniet me Shqipërinë shikojmë se me qëndrimet donkishoteske të një kryeministri që sillet sikur është një udhëheqës ndërkombëtar, bëjnë që të shqetësohen edhe vetë shqiptarët se ata nuk meritojnë të bëhen pjesë e një gafe të një kryeministri që në mënyrë paradoksale kishte menduar ta festonte, sipas mendjes së tij fitoren e Klinton me hapjen e një ekspozite pikturash në Nju Jork në 14 nëntor, një javë pas zgjedhjeve në SHBA. Justifikimet e përdorura lënë për të dëshiruar për nivelin e përfaqësimit të një kryeministri në arenën ndërkombëtare duke injoruar çdo lloj urtësie diplomatike që është e nevojshme të respektohet në raste të tilla.
Në një kohë kur vendi po përmbytej nga shirat e bollshme, kemi një qëndrim aspak dinjitoz për një qeveri që ka shpenzuar miliona e miliona lekë për të shmangur këto përmbytje. Ky realitet që ka një kosto shumë të madhe për qytetarët shqiptar, se janë ata që e vuajnë pasojën e kësaj situate atmosferike, dhe që nga ana tjetër opinioni merr vesh se investimet e bëra me hidrovore apo në ndihmë të zonave me mundësi përmbytje, ose nuk janë bërë, ose janë bërë keq, ose politikat në këtë drejtim janë të pasakta çka bën përgjegjës jo vetëm ministrat e sektorit përkatës, por edhe vetë kryeministrin që në këtë situatë të rëndë nuk ndodhje fare në Shqipëri.
Por nëse përmbytjet nga shirat janë vullnet i Zotit dhe njerëzit duhet të dijnë ti ndërtojnë marrëdhëniet me këtë realitet, në Shqipëri u manifestua një “përmbytje” e një lloji të veçantë, e shërbimit izraelit Mosad në mbështetje të skuadrës së tyre për ndeshjen që u luajt në Elbasan, gjatë muajit nëntor. Për mendimin tim, shteti shqiptar u përbuz, u mposht, u dorëzua, u vu në shërbim të një shërbimi të huaj të paprecedent si një sjellje jo vetëm aspak njerëzore, por edhe aspak diplomatike të sjelljes së një shteti ndaj një shteti tjetër. Shqiptarët në dy raste janë përballur me “përmbytje” të tilla në harkun kohor të një viti, në ndeshjen e Shqipërisë me Serbinë dhe në ndeshjen e fundit të Shqipërisë me Izraelin. U thanë dhe u krijuan preçedentë me të ashtuquajturin terrorizëm që mund të ndodhte në ndeshjen që do të luhej me Izraelin në stadiumin e Shkodrës. Kjo bëri që jo vetëm ndeshja të transferohej në Elbasan, por edhe të arrestoheshin qytetarë të besimit Islam nga Shkodra, nga Kosova dhe nga kryeqyteti me parathënien se do të kryenin akte terroriste. Edhe pse historikisht në Shqipëri nuk është konstatuar asnjë akt i tillë, duhet thënë se këto shfaqje të turpshme të shtetit shqiptar duke u bërë shërbëtor i interesave të shërbimeve të huaja, lënë për të dëshiruar në opinionin publik shqiptar me pyetjen se çpo ndodh, kush i shpik këto situata, kush i rekomandon këto ngjarje dhe përse në një vend që besimet fetare bashkëjetojnë. Ndoshta kjo situatë ka vend për tu analizuar edhe më gjatë dhe më thellësisht se veç një gjë është e qartë, shqiptarët nuk meritojnë të trajtohen si eksperiment për interesat e shteteve të tjera duke goditur vepra imagjinare të pandodhura vetëm e vetëm se kështu dëshirojnë ata që gatuajnë terrorizmin ndërkombëtar.
Çuditërisht në të dy ndeshjet edhe me Serbinë edhe me Izraelin shqiptarët humbën për shkak edhe të presionit të madh psokologjik me të gjitha mënyrat për ndeshjet e futbollit.
Nëntori u bë dëshmi edhe e një eventi tjetër siç ishte takimi për diasporën shqiptare ku pjesëmarrja ishte relativisht e mirë, por ra në sy refuzimi i shoqatës Vatra të Amerikës për të marrë pjesë në këtë event. Arsyet i dinë ata, por që lidhen me qëndrimet diskriminuese të qeverisjes shqiptare ndaj shtresës së të përndjekurve politikë dhe mosbërjes së dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Është rasti të themi gjithashtu se ky takim i disaporës i vlen opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për të afruar shqiptarët me njëri tjetrin kudo në botë, për të krijuar atë lobingun gjithëshqiptar. Se sa efektiv ishte ky takim i diasporës, në një farë mënyre ai kontrastoi me fjalimet e zgjatura të kryeministrit dhe qëndrimet e liderit të opozitës duke lëtë të hapur mendimin se shqiptarët kanë nevojë të bashkohen, të jenë lobues të mirë të çështjes shqiptare në botë dhe për të zgjidhur probleme të mbetura peng. Ky takim i diasporës erdhi fill pas një debati që u zhvillua në parlament mes Edi Ramës si kryeministër dhe Vangjel Dules, kryetar i PBDNJ. Qëndrimet e shefit të qeverisë shqiptare ndaj ndikimeve greke në Shqipëri, ai ja përcolli Athinës zyrtare përmes politikanit Dule si të thuash i ra pragut të ndëgjojë dera. Jo vetëm që kryeministri i dha përgjigjen e duhur Greqisë për ato refleksione që ata kanë për minoritetin në Shqipëri, por njëherazi ai i kujtoi zyrtarëve të lartë grekë se në mes Shqipërisë dhe Greqisë janë disa çështje të mbetura pezull, siç është ligji i luftës i vitit 1940 dhe çshtja çame si një fakt histoti i mohuar nga pala greke.
Nëse kryeministri përdori të gjithë bagazhin e tij të njohjes historike, gjë të cilën e manifestoi edhe në emisionin e televizionit grek Skaner, për të vënë pikat mbi I, për çshtjet e mbetura pezull mes dy shteteve, që kohë pas kohe kanë gjeneruar konflikte, ishte e udhës që këshilltarët diplomatikë të kryeministrit do të duhej ti kishin këshilluar atij të bënte më shumë kujdes në aspektin diplomatik, në kohë dhe në hapësirë në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Jo se nuk është e drejtë ti thuash një shteti fqinj se si duhet të sillet me fqinjin e tij, por se çdo problem konfliktualiteti në mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk mund të ketë kurrsesi zgjidhje pa reciprocitetin në qëndrimet bilaterale. Çështja çame si çështja më e nderë e mbetur në udhëkryqin e historisë si vepra genocidiste e Luftës së II Botërore që bëri Greqia ndaj popullatës së paarmatosur dhe të pafajshme të Çamërisë, përbën një situatë të nxehtë, zjarrit të së cilës nuk duhet ti hedhi benzinë askush.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se në këto 25 vjet të pasdiktaturës shteti shqiptar ka tentuar të bëjë prezente problemin çam duke stimuluar traktatin e miqësisë 1996 dhe lehtësira proçeduriale në favor të Greqisë në Shqipëri. Nga na tjetër Greqia ka kërkuar gjithnjë supremacinë në marrëdhëniet me Shqipërinë duke synuar të diktojë qëllimet e veta të interesave siç është marrja e territorit detar, siç janë krijimi i varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri apo siç është i ashtuquajturi “problemi” i të drejtave të njeriut të minoritetit grek në Shqipëri. Alarmimi i Athinës zyrtare në lidhje me çështjen çame që e mohon atë dhe nga ana tjetër e akuzon padrejtësisht një popullatë të tërë si bashkëpunëtorë me nazistët, janë tendenca spekulative të një shteti anëtar të BE që gjen rastin të vërë edhe veton në dëm të hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE me imponimin e kërkesave të veta.
Në një kuptim kemi një riacarim të marrëdhënieve mes dy shteteve të cilat edhe pse anëtarë të NATO, i ngrijnë heshtat si për një luftë për shkak të mospërputhjeve në qëndrimet e tyre ndaj shtetasve të tyre. Rezoluta e Çamërisë është një dokument i rëndësishëm që do të merrte vlerë të shumëfishtë nëse ajo do të bëhej pjesë e parlamentit europian apo e kongresit amerikan. Moskonsiderimi i kësaj rezolute nga pala greke, edhe pse janë ngritur komisione dypalëshe për trajtimin e mosmarrëveshjeve bënë që kryeministri shqiptar jo vetëm pse mbron një çështje të drejtë, por edhe sepse i bën një shërbim kombit, meriton respekt, por që gjithnjë do të ishte me vend sjellja me një dizajn diplomatik për të mos i lejuar palës greke të bëjë veprime si ato me ndalimin e shtetasve shqiptarë në doganë dhe vensosjen e kryqeve në pashaportat e tyre.
Muaji nëntor manifestoi një tablo të zymtë në sjelljen e qeverisë shqiptare me ekonominë e vendit. Mungesa e shpresës së shqiptarëve se Shqipëria do të bëhet, konfliktualiteti politik dhe mashtrimet me shifrat ekonomike apo krijimi i situatave favorizuese për klientelizmin kryeministror janë shfaqje që po dëmtojnë jo vetëm imazhin e Shqipërisë në botë, por po ulin ndjeshëm nivelin e jetesës së Shqiptarëve që nga një anë mendonin se do të përmirësohej qeverisja me të ashtuquajturin “rilindje” dhe nga ana tjetër shohin se ka rilindur e keqja, mashtrimi me të ashtuquajturin reforma në administratë, në shëndetësi, në drejtësi, në ekonomi apo në arsim dhe në sektorë të tjerë jetik. Asnjëra prej këtyre nuk pati fatin të çonte në rilindje, por e zhyti më keq situatën e pashpresë. Ndjeshmëria e vendeve europiane që po konstatojnë në mënyrë shpejtuar rritjen e trafikut të lëndëve narkotike në vend që të rritej ekonomia apo sjelljet e pahijshme që manifestohen në sallën e parlamentit shqiptar, janë këmbana të një situate që nuk ngjall shpresë dhe nuk sjell në vëmendje faktin se zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të kenë drejtësi. Retorika parlamentare lë shumë për të dëshiruar deri në sharje dhe fyerje duke i lënë një shije aspak të besueshme opinionit publik për të zgjedhurit e tyre. Shuplakat që merr Shqipëria dhe qeverisja e saj me moshapjen e negociatave janë tregues se ky vend ka nevojë për ndryshim dhe sipas mendimit tim nuk mund të ketë ndryshim në një vend nëse shtetasit e tij nuk ndryshojnë vetveten në këndvështrimin e tyre për të ardhmen, për daljen nga kolapsi sa shpesh përdoren postulate të religjioneve fetare për të qetësuar gjendjen e pashpresë.
Përkundër gjithë kësaj atmosfere në Shqipëri krijohen situata qesharake me fasadat, me lyerjen e pallateve, me uniformat e policisë, me festimet e ngjarjeve të pavarësisë dhe çlirimit, duke i dhënë vendit veshjen e një mirazhi se gjithshka është e qetë dhe ata që shqetësohen nuk kanë të drejtë, në një kohë kur interesi qytetar i shqiptarëve është ekonomia e tyre, jeta e përditshme që është fasada më reale e një vendi që vazhdon të vegjetojë në pyllin e pasistemuar të sjelljeve të politikës së dështuar.