Lidhjet e Ramës me Erdogan, kanë krijuar një xhelozi me grekët, por që ky patriotizëm alla Rama kërkon të rrisë adrenalinën e shqiptarëve, por krijon dëme në lidhje me këndvështrimin europian. Panorama politike në Shqipëri fatkeqësisht po bëhet një shembull jo i mirë për partitë politike shqiptare si në rastin e Maqedonisë, të cilat gjithashtu po i shërbejnë lojërave të interesave të tyre politike dhe që kanë favorizuar fitoren e partive sllavo-maqedonase dhe që kanë treguar haptazi një dështim të partive shqiptare në Maqedoni.

 

Politika në Shqipëri, e djathtë apo e majtë, po tregon një papërgjegjshmëri totale kur vjen fjala për tu shërbyer shqiptarëve, por gjithçka po denigron në shërbim të interesave të njerëzve me aksese të mëdha në strukturat e politikës. Këtë më së miri po e tregojnë lojërat e brendshme sa në PS që është në pushtet, të cilat  në Shqipëri janë dukshëm sajesa të modeleve të ish sigurimit të shtetit që kërkojnë të dëmtojnë krahun e djathtë në Shqipëri, dhe veçanërisht PD që është përfaqësuesja e saj më dinjitoze.Janë të hershme tashmë në këto 25 vjet lëvizjet e qëllimshme brenda klasës politike në shërbim të së majtës. Brenda këtyre 25 viteve të demokracisë, fillimisht brenda PD doli PAD me Neritan Cekën si parti që do pengonte demokratët që do ishin të pakënaqur nga PD që të mos kalonin majtas. Por erdhi një ditë dhe kjo PAD doli tërësisht majtas dhe u bë pjesë e qeverisjes së majtë më 1997. Më tej, në vitin 2003 filloi një lëvizje brenda PS, me Ilir Metën që kishte pakënaqësi me Fatos Nanon dhe u krijua LSI që në fund të fundit me pragmatizmin e vet i bën një shërbim të madh të majtës duke rrëmbyer nga PS të pakënaqurit me qeverisjen socialiste. Ndërsa në 4 vjet të qeverisjes me PD (2009-2013) i bëri asaj një dëm të madh, po aq sa edhe i bëri shërbim në mbajtjen e  pushtetit deri më 2013. E gjithë kjo u provua. Edhe e quajtura “Mjaft’ me Erion Veliajn, nuk ishte gjë tjetër vetëm një lëvizje e heshtur soriste që me Edi Ramën dirigjent, i vunë stërkëmbsha Fatos Nanos deri në rrëzimin e tij më 2005. Sot ai “Mjaft” është inekzistente, por në pushtet me Erionin dhe Rilindjen e Ramës që manifestoi tërësisht politikat e Sorosit për të mos gjetur qetësi ky vend në rajonin e  Ballkanit. Ndërkohë edhe brenda PD kemi një lëvizje me të quajturin “Fryma e re demokratike” me në krye Bamir Topin, (ish President 2007-2012, ish N/kryetar i PD) që në të gjithë treguesit e tij ka bërë marrëveshje me të majtën dhe nuk ka asnjë shërbim ndaj së djathtës, edhe pse me fjalë thonë se i përkasin qendrës së djathtë. Sot kemi lëvizje brenda PS me Ben Blushin që gjithsesi, edhe pse me pakënaqësi të madhe ndaj rilindjes së Edi Ramës, mbetet majtas me qëllimin që socialistët e qefëmbetur të PS të mos shkojnë djathtas. Por që do ti shërbejë PS në fund të fundit. Tashmë edhe Koço Kokëdhima që kërkon të reformojë strukturat e PS, përjashtohet nga PS pasi u përjashtua më parë si deputet, se u investua PD për këtë rast me të drejtë. Por edhe sepse nuk janë soristë, Koçoja thotë se do mbetet gjithsesi i majtë dhe do i shërbejë së majtës kundër PD e aleatëve të saj në dëm të së ardhmes. I ka pohuar këto vetë Koçoja me gojën e tij televizisht.

Çfarë janë këto lojëra politike?

Pakënaqësinë ndaj rilindjes së Edi Ramës që po tregon elementë të së djathtës më të keqe të mundshme brenda së majtës, nuk u ka pëlqyer socialistëve të vërtetë dhe duan që të pakënaqurit e PS të mos shkojnë djathtas, ndaj bëjnë këto lëvizje që në pamje të parë duken si lëvizje zhvilluese dhe demokratike, por në thelb janë indicio në shërbim të segmenteve të strukturave të vjetra të organizatave bazë të partisë  për të shkatërruar plotësisht të ardhmen dhe shpresën e shqiptarëve. Para këtij realiteti, kemi një të djathtë që me PD në krye po lufton, por në një luftë të pabarabartë me të majtën dhe PS + LSI. Por më shumë se kaq ka nevojë për një organizim të brendshëm të strukturave që gjithsesi kanë ose janë në një gjumë të pashpjegueshëm, në një kohë që do të duhej të ishin zjarr e flakë për të ndezur gjithë këtë situatë që shqiptarët po e përjetojnë keq me shumë dëme të pallogaritshme, derisa shpesh e më shpesh dëgjojmë shprehjen se “ky vend nuk bëhet” që i shkon për shtat segmenteve të ish sigurimit për rikthimin e një neodiktature të papranueshme, por të imponuar me çdo kusht e me çdo mjet, sipas parimit që “qëllimi justifikon mjetin”.

Këtë situatë po e komprometojnë të ashtuquajturat reforma të ndryshme që gjithsesi janë më shumë shërbesa në funksion të elitës qeverisëse dhe që varfërojnë shqiptarët. Koha po tregon në drejtësinë  e këtyre mendimeve. Fundviti 2016, po vjen me shumë pikëpyetje në formacionet e koalicioneve që do të duhet të bëhen, tashmë që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 18 qershor si dita e zgjedhjeve parlamentare. Ka shumë hamendësi se çfarë qëndrimi do të mbajë LSI në raport me Edi Ramën apo Lulzim Bashën. Zhvillimet politike në Shqipëri po flasin më shumë për një politikë favorizuese të kryeministrit Rama në favor të zgjedhjeve me rritje pagash dhe pensionesh, ku më të favorizuarit janë ish ushtarakët si garda e vjetër e ushtrisë së diktaturës si e lidhur pazgjidhshmërisht me të majtën, edhe pse shumë nga ushtarakët e elitës u përsekutuan nga diktatura si frikë e diktatorit për zgjimin e ndërgjegjes për tu shërbyer interesave të kombit e jo të uzurpimit të pushtetit me kultin e individit të Enver Hoxhës. Debatet në lidhje me Vetingun dhe kush e ka të drejtën apo monopolin e  së vërtetës, kanë krijuar një klimë të rënduar si në politikë edhe në opinionin publik, sepse ka tendenca për të manipuluar  me ligjin për drejtësinë dhe kalimin në shoshë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por ajo që bëhet më shqetësuese është trumpetimi i radikalizmit islamik si një lloj mundësie për të mbrojtur qeverisjen nga sulmet e vetë qytetarëve që duan ndryshimin dhe jo lojëra fjalësh. Debatet e shumta për kriminalizimin e politikës dhe të pushtetit, po bëhen një pasqyrë e së vërtetës se ku qëndron sekreti i gjithë kësaj gjendjeje të pa precedent në jetën e shqiptarëve që shohin, dëgjojnë, provojnë dhe prekin me duart e tyre një kriminalizim të tërë shoqërisë me forma trafikimi me lidhje të politikës që i dirigjon. Lojërat politike në Shqipëri, kanë edhe një tregues tjetër të marrëveshjeve të dukshme dhe të padukshme me supremacitë botërore, të perëndimit me në krye SHBA dhe të Lindjes me Rusinë. Ka shfaqje të dukshme e të padukshme të këtyre tendencave, ndërkohë që shpesh e më shpesh manifestohen lidhjet e qarta të qeverisjes së Edi Ramës me Sorosin, aq më tepër tani që pas humbjes se Hillary Clinton dhe fitoren e Donald Trump ka lëvizje drejt takimeve të Ramës me Putinin. Edhe lidhjet e Ramës me Erdogan, kanë krijuar një xhelozi me grekët, por që ky patriotizëm alla Rama kërkon të rrisë adrenalinën e shqiptarëve, por krijon dëme në lidhje me këndvështrimin europian. Panorama politike në Shqipëri fatkeqësisht po bëhet një shembull jo i mirë për partitë politike shqiptare si në rastin e Maqedonisë, të cilat gjithashtu po i shërbejnë lojërave të interesave të tyre politike dhe që kanë favorizuar fitoren e partive sllavo-maqedonase dhe që kanë treguar haptazi një dështim të partive shqiptare në Maqedoni.