Forcat reale ndikuese në shoqërinë tonë (presidenca, parlamenti, qeveria dhe gjyqësori), duhet të kenë qasje më serioze ndaj medieve dhe ndaj secilit që shkakton zhurmë të pa nevojshme. Nëse këto forca kanë ngecur në udhëkryq, dhe nëse deri tani nuk ka dalë asnjë forcë tjetër ndikuese që do të na nxirrte nga ky udhëkryq, atëherë le t’ia lëmë këtyre që e kanë nisur, të na nxjerrin nga kjo amulli ashtu siç dinë, edhe pse po ua shohim të metat.

Që kur elitat e botës perëndimore filluan të mendojnë se sistemi teokratik (i krishterë) ishte shkaktar i shumë të këqijave që i vinin individit, ata filluan seriozisht të mendojnë se duhet bërë diçka, se popullit të thjeshtë duhet t’i prezantohet një gjë e re që do t’i motivonte për jetë normale. Kështu, populli u përgjak ditët kur përjetoi Revolucionin Francez 1789-të, nga i cili lindi sistemi laik dhe ai shekullar. Ky sistem fillimisht depërtoi thellë në Evropë, e më pas pothuajse në mbarë botën përfshirë këtu botën islame në përgjithësi dhe Turqinë kemaliste në veçanti.

 

Kosova si një shtet i ri i njohur gjer tani nga më pak se 50% të shteteve të botës, me kushtetutë dhe me sistem administrativ të ngritur mbi bazat e ideologjisë perëndimore, po mëton të bëhet anëtarja më e re e kësaj bashkësie. Pra, fjala është për BE-në e cila ka përvojën dy shekullore në këtë fushë. Nëse tregtarët e popullit tonë janë duke na sjellë nga shtetet e zhvilluara teknologjinë e kohës (aparaturat në mjekësi, në postëtelekom etj.) atëherë, edhe ekspertët e jurisprudencës dhe të politikës duhet të na sjellin idetë më të reja të kohës, e jo këta të fundit të dëshirojnë diçka tjetër e të na prezantojnë diçka tjetër.

 

Politikanët tanë dhe ekspertët e juridikut duken se janë hutuar, secili po i sheh se kanë ngecur në udhëkryq, dhe secili po i sheh se nuk janë duke ditur të vazhdojnë rrugën më tutje. Rruga për shumëkënd është e qartë, mirëpo timonierët e popullit kujt t’i besojnë, rrugës së rrahur e cila shkon për në Evropë apo, shenjave që janë vendosur gabimisht në udhëkryq? Kjo do të zgjidhej fare lehtë, sikur timonierët tanë të kishin përvojën e duhur dhe ta kishin rrahur shpesh këtë rrugë. Por fati ynë ishte të kemi këta timonierë me pa përvojë, dhe, jemi në vend numëro tani e dhjetë vjet me pak përparime.

 

Natyrisht, kur populli sheh se kemi ngec në udhëkryq fillon të flasë, dhe, kur të gjithë flasin, natyrshëm krijohet një zhurmë e cila shkakton huti dhe pa siguri. S’ka dyshim se të parët që do të duhej të flisnin, duhej t’ishin ekspertët me përvojë nga shkaku se kanë përvojën, dhe sigurinë më të madhe nga të tjerët. Në rastin tonë ndodh që edhe këta të mos flasin edhe sikur t’i detyrojë masa, për shkak të frikës se nuk do të dinë ta zgjidhin problemin nga mungesa e informacionit të viteve të kaluara. Kështu të shtyrë nga ky inercion, do të duhej të dilnin individë të rinj, por, deri më sot këta individë (ekspertë) ende nuk po shihen në mesin tonë, dhe, vendi po vazhdon të numërojë në vend, sidomos për zgjidhjen e statusit të fesë, që tash e disa vite komunitetet fetare janë pa status me përjashtim të ortodoksëve serb.

 

Ajo që bën përshtypje më të madhe në shoqërinë tonë krahasuar me timonierët tanë janë lagjja e gazetarëve dhe e politikanëve me më pak përvojë. Këta të fundit kritikojnë timonierët se kanë ngecur për shkak se nuk kanë ide si ta zgjidhin problemin e Kosovës veriore, por, edhe këta deri më sot ende nuk na kanë dhënë ndonjë plan premtues se si duhet dalë nga ky udhëkryq, me përjashtim të zhurmës që janë duke e shkaktuar në popull, dhe duke e dëmtuar buxhetin kombëtar edhe më shumë.

 

Ndërsa gazetarët, na ruaj Zot prej tyre. Konfuz në të gjitha fushat, ashtu siç thotë populli, aty ku mungon macja, mijtë bëjnë dasmë. Por ajo që vërehet qartë është se, ndër ta si duket ka ekspertë që duan ta thellojnë konfuzionin mbarëpopullor edhe më shumë. Në këtë katrahurë të përgjithshme dhe në këtë huti të timonierëve, po mundohen ta nxjerrin fajin tek disa individë dhe, për fat të keq këta individë sipas tyre do ta bartin fajin e këtij mossuksesi ose mos dalje nga ky udhëkryq!

 

Fuqia e pestë ndikuese në popull (gazetarët, fatkeqësisht tek ne janë fuqia e parë), duke parë fuqinë e presidentit të pa zgjedhur, parlamentit që ecën me hapat e breshkës së izoluar, qeverisë së hutuar dhe gjyqësorit të stërngarkuar, mundohen ta nxjerrin fajin në individë besimtarë të besimit islam. ‘Fajin e kanë ekstremistët, vehabistët…’, ‘këta po japin imazh negativ në Evropë’, këta…, kush janë këta? Kështu, ama bash kështu, silleshin serbët, dhe ende vazhdojnë t’i thonë Evropës së Kosova është e stërmbushur me islamistë, ekstremistë, vehabistë dhe… Fatkeqësisht për shkak të mos përgjegjësisë së këtyre, pak individë të brendshëm dhe shumë të jashtëm, besojnë se Kosova është e stërmbushur me ekstremistë e vehabistë!

 

Para tri ditëve, derisa katër shokë po shkonin në Shkup për të marrë pjesë në manifestimin e Kurban Bajramit që mbahej në Shkup, në kufi polici kontrollues i pasaportave pasi kuptoi qëllimin e vizitës, iu kishte thënë: mos jeni vehabistë! Pa marrë kurrfarë përgjigje prej tyre, vazhdon polici duke ju thënë: vehabistët nuk dallojnë tek unë më shumë se sa shkiet, ah… Se ku ishte dyshimi i policit një Zot e di…, por një gjë ju siguroj se ata nuk ishin me mjekra të mëdha, mbase të pa rruar po.

 

Ajo që dua të them është se, gazetarët kanë ndikuar aq shumë në popull, bile edhe në polici, saqë çdo lëvizje që bëhet tani në emër të fesë (qoftë edhe Kurban Bajrami etj.), duket si ekstremiste e vehabiste. Festimi i Kurban Bajramit që me siguri festohet edhe në shtëpinë e këtij polici është bërë paranojë për të gjithë. Nga se vjen kjo? Me siguri nga mungesa e informimit të saktë, dhe nga fryrja ose shtrembërimi i fakteve nga ana e gazetarëve. Nëse një individ ka shkelur ligjin dhe ka bërë vepër penale le të dënohet me ligjet në fuqi, por jo se individi i përkiste këtij, e atij besimi. Në Evropë asnjëherë nuk kam dëgjuar të thuhet se krimin e bëri filan protestanti, evangjelisti ose filan katoliku ose…, por thjeshtë individi me emër e mbiemër, e jo besimit që i përket.

 

Në Vushtrri pak ditë më parë dëgjuam se, ishin prishur dhe bojatisur disa varreza. Pa asnjë argument mediet tona i etiketuan besimtarët musliman se qëndruakan prapa këtij veprimi makabër. Skandaloze, pse duhej ta bënin besimtarët praktikant një gjë të tillë! Gazetarët (që ia duan të mirën vendit) nuk duhej të nxitonin, ata do të duhej vetëm pak të mendonin dhe të shkruanin mbi të vërtetën e ngjarjes, mirëpo të mbrojtur nga dikush…, sikur që ishin gazetarët serb të mbrojtur nga dikush…, për të etiketuar shqiptarët se janë dhunues sikur që kishim rastin e Martinovoqit, i etiketonin shqiptarët se po shkatërrojnë federatën Jugosllave!

 

Rasti i prishjes së varrezave nuk rezultoi t’ishte bërë nga individë të caktuar prej besimtarëve praktikant, mu ashtu siç nuk rezultoi as rasti i Martinoviqit t’ishte bërë nga shqiptarët. Varrezat ishin dëmtuar nga një grup fëmijësh ose adoleshentësh, të cilët kishin pasur në duart e tyre bojë, dhe, pa menduar gjatë iu kishin shtuar portreteve të fotografive mjekra, kështu kishte ndodhur edhe me Martinoviqin. Ai nuk ishte dhunuar nga shqiptarët e as nga askush tjetër, por, duke qenë se kishte pasur prirje homoseksuale, ishte vetëkënaqur nën hijen e një peme me shishe të birrës.

 

Këto dhe shumë raste të tjera na detyruan të shkruajmë, ndërsa qëllimi ynë nuk është të gjejmë fajtorin. Nuk jemi as prokurorë e as gjykatës, por jemi qytetar që ia duam të mirën vendit, dhe, kërkojmë nga secili individ le t’i thërret mendjes e të mos nxitojë në konkludime në këto ditë të vështira për ne. Serbët janë në luftë të hapur me ne, ata nuk do të pushojnë së punuari për të ngatërruar punët tona edhe më shumë. S’do mend se ata kanë ndikim si në individë (që në dukje tregohen se janë praktikant të fesë islame, ashtu kanë ndikim të madh edhe në mediet tona) prandaj, kush nuk është besimtar le të mos gjykojë sipas logjikës së tij prej jo besimtari, e kush është më pak besimtarë le të mos gjykojë sipas mënyrës së tij, e ai i cili është praktikat i fesë le të ketë kujdes më të madh sepse dallgë të mëdha i janë drejtuar atij.

 

Forcat reale ndikuese në shoqërinë tonë (presidenca, parlamenti, qeveria dhe gjyqësori), duhet të kenë qasje më serioze ndaj medieve dhe ndaj secilit që shkakton zhurmë të pa nevojshme. Nëse këto forca kanë ngecur në udhëkryq, dhe nëse deri tani nuk ka dalë asnjë forcë tjetër ndikuese që do të na nxirrte nga ky udhëkryq, atëherë le t’ia lëmë këtyre që e kanë nisur, të na nxjerrin nga kjo amulli ashtu siç dinë, edhe pse po ua shohim të metat. Për të ecur para, duhet t’i besojmë edhe të metave të tyre me shpresë se do të vijnë ditë edhe më të mira.