Autor: Mirlind Behluli

 

Ish-biznimseni Trump ka vetëm 18 muaj që ka marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, pas një fushate përçarëse dhe të paprecedentë në tërë historinë amerikane. Por, gjuha e ashpër e yllit të dikurshëm të televizionit disi ‘arsyetohej’ me përplasjet e vazhdueshme me kandidatët për presidentë, në kuadër të një kampanje të gjatë e të lodhshme. Të gjithë ishin të bindur, e madje shumë nga ta çuditërisht të relaksuar, se pikëpamjet radikale të shpërfaqura në kampanjë, nuk do ta përcillnin as edhe një ditë të vetme Trumpin si president në Zyrën Ovale. Të paktën kështu shpresohej. E duket se pritjet e tilla të shumë njerëzve ishin thjesht naivitet par excellance.

Trump si ish showmen, si ish-kandidat i republikanëve dhe tani si president, nuk është se ka ndryshuar shumë. Është po i njëjti. Presidenti Trump është po aq skandaloz me deklarata, e shumë herë qesharak me qëndrime nga më naivet të mundshme, shikuar nga perspektiva gjeopolitike. Deklaratat qesharake mbi agresivitetin e malazezve dhe ndërlidhjes së një shteti me popullsi pak mbi gjysmë milioni, siç është Mali i Zi, me luftën e tretë botërore, nuk është asgjë tjetër pos material i bollshëm për komedianët si Trevor Noah, Jimmy Fallon e  Stephen Colbert. Por, për studiuesit eurocentrikë të marrëdhënies ndërkombëtare, e posaçërisht për ithtarët e aleancës transatlantike, është një gjë për të cilën duhet shqetësuar.

Problemi nuk qëndron aq tek përgjigja kaq e drejtpërdrejtë, brutale e shumë qesharake e një presidenti amerikan, ngase tek e fundit ky është stili trumpian, por tek nënteksti që bartë ky qëndrim. Të lexuarit ndër rreshta është ndërmarrja më e rëndësishme në diplomaci, është vet çelësi i suksesit të një diplomati dhe i një studiuesi serioz i marrëdhënieve ndërkombëtare. E nënteksti i deklaratës për ‘Malin e Zi të vockël me njerëz të shumtë agresivë’ është i thjeshtë. Ajo është plotësisht trumpiane: Të nderuar qytetarë të Malit të Zi, ShBA-të nuk qajnë kokën për ju. Në rast të ndonjë agresioni ushtarak nga ndonjë shtet jo anëtarë i NATO-s (lexo: nga Federata Ruse), ShBA-të nuk do të intervenojnë në mbrojtje të shtetit më të ri anëtar të NATO-s.

Për ta bërë edhe më të qartë nëntekstin e deklaratës së Trump, duke qenë i vetëdijshëm se ky është një interpretim reduksionit; mesazhi tingëllon përafërsisht diçka kështu: Mos shpresoni në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, Zoti ua bëftë qaren! Pra, Trump me brutalitetin e tij tanimë të njohur, shpejtë e me jehonë po i lëkund të gjitha parimet themeltare të NATO-s dhe aleancës disa dekadëshe transatlantike.

Megjithatë, Presidenti Trump ka goditur në shenjë. Ai, natyrisht pa vetëdije, ka ringritur pyetjen legjitime të 3 dekadave të fundit, nëse është ende e nevojshme ekzistenca e organizatës ushtarake NATO dhe nëse po, atëherë çfarë është roli i saj në një botë post-komuniste? E themeluar si nevojë imediate për të balancuar Paktin e Varshavës të bllokut komunist, me synimin e vetëm të mbrojtjes së Evropës nga çfarëdo sulmi prej vendeve komuniste, NATO-ja u bë model i sigurisë kolektive. Të qenit model i sigurisë kolektive, NATO-ja pas shkapërderdhjes së Paktit të Varshavës mbeti pa misionin fillestar të saj, prandaj NATO si organizatë u pa si e vjetruar dhe trumpetohej si i ka skaduar afati.

Sidoqoftë, pika më kulmore e bashkëveprimit trans-atlantik në kuadër të NATO-s nuk ishte përgjatë Luftës së Ftohtë. As intervenimet në Ballkan nuk janë sukseset më të mëdha të kësaj organizate që tani kritikohet ashpër nga Presidenti i ShBA-së, respektivisht vendit inicues për themelimin e saj. Siç e theksonte para disa ditësh edhe gazeta New York Times në editorialin e tyre kundër Trump, Neni 5 është përdorur vetëm një herë dhe atë në mbështetje të ShBA-së pas 11 shtatorit. Këtë vështirë që e di hirësia e tij, Trump.

Trump duket se ka një fushë paralele, e pse jo edhe alternative, të lojës. Ai luan në fushën e tij e me rregullat e tij – nëse veç ka të tilla -, edhe në qoftë se këto rregulla bien ndesh me të gjitha standardet e etabluara të sistemit ekzistues ndërkombëtar. Presidentin e 45-të të ShBA-së mund ta kritikojmë gjithë ditën, por në fund, për dallim nga të gjithë liderët evropianë, të cilët e kundërshtojnë me këmbëngulje, ka mësuar një rregull fondamentale të historisë: Sistemet ndërkombëtare dhe aleancat nuk zgjasin përgjithmonë. Po ashtu, aleancat nuk janë të shenjta, e as të përhershme. Në trajektoren historike të diplomacisë miku i sotshëm kthehet shumë shpejt në armik dhe anasjelltas. Sa për ilustrim, BRSS dhe Stalini ishin aleatë të ShBA-së dhe evropianëve në luftë kundër nazizmit, por vetëm pak vite më vonë, pas Telegramit të Gjatë të Kennan, BRSS u kthye në një armik të përbetuar.

Qasja agresive amerikane kundrejt Gjermanisë, lufta e ashpër tregtare me Kinën, afrimi dhe simpatia personale e Trump me Presidentin Putin, si dhe përplasja e vazhdueshme Trump-BE, është agimi i papritur i një dite jo të mirë edhe për shqiptarët. Rikonstruktimi i sistemit ekzistues ndërkombëtar është i rrezikshëm për secilin shtet që gjendet në vijën ndarëse të thyerjeve të mëdha gjeopolitike, gjeostrategjike, religjioze dhe historike. E fusha e jetës dhe e lojës të shqiptarëve është pikërisht në bërthamë të kësaj ndarjeje.

Për kë bien kambanat në këtë mot me mjegull?

Kambanat bien për ata që kanë vesh të dëgjojnë! E për dëgjuesit është alarmante se si Ambasadori Delawie, i cili reprezenton politikën zyrtare të ShBA-së, e ka të pamundur të sqarojë qëndrimin e Administratës Trump për çështjen e ndarjes apo jo në vija etnike të Kosovës. “Nuk do të flas për atë se çka mund të jetë një element i ujdisë përfundimtare”, tha Delawie. E insistimit të gazetarit, të cilin ambasadori amerikan e cilësoi si kreative, iu përgjigj me po aq gjakftohtësi: “Nuk do t’i përgjigjëm sërish pyetjes. Kërkoj falje!”, shtoi Ambasadori.

Në teorinë e marrëdhënies ndërkombëtare, diplomacia hap pas hapi, është një nga metodat më të preferuara për negocim në rastet kur palët ose së paku njëra nga palët nuk e pranon subjektivitetin ndërkombëtar të bashkëbiseduesit. Kështu ka ngjarë në bisedimet ndërmjet Izraelit dhe OÇP-së, ku fillimisht u diskutuan tema të ‘parëndësishme’ për të ardhur më pastaj te ato më krucialet: E ardhmja e Jerusalemit, e drejta e rikthimit të palestinezëve në trojet e tyre, ngulmimet izraelite dhe njohja reciproke. Pa dashur të bëj analogji, por kështu ka ngjarë edhe në dialogun disa vjeçar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku janë trajtuar temat nga më të ndryshme, nga diplomat e regjistrat kadastralë, e deri tek asociacioni i komunave serbe. Vetëm një gjë ende nuk është diskutuar, e cila qëllimisht është lënë për ‘fundin e lojës’ – ashtu siç edhe sugjeron teoria e diplomacisë hapë pas hapi. E faza përfundimtare e dialogut ka vetëm një temë: ujdia përfundimtare për Kosovës. Në tavolinë ka një alternativë me dy lexime të ndryshme, por që kanë kuptim të njejtë: ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia. Dhe njohjen nga Serbia në këmbim të territorit. Për palët në konflikt, e në këtë rast Prishtina e Beogradi, kjo alternativë është e papëlqyeshme, por e domosdoshme. Ky është kompromisi i dhimbshëm për të cilin flitet kohët e fundit në Kosovë.

Por, për negociatorin amerikan, kushdo që të jetë ai, ky kompromis është vetëm një tjetër marrëveshje në sirtarin e tij prej diplomati karriere. Për ta parafrazuar Presidentin Trump, gjë e cila s’është e vështirë marrë parasysh fjalorin e tij të varfër, marrëveshja e fazës përfundimtare do të jetë një ujdi e mrekullueshme, më besoni. ‘E mrekullueshme’.

Veçse nuk dihet se për kë do të jetë e mrekullueshme. Për ne apo për Serbinë. Ndoshta për asnjërën palë. “Gjithsesi, do të jetë e mrekullueshme” do të këmbëngulte presidenti ekscentrik amerikan, Trump. E të njëjtën gjë detyrimisht do ta thoshte edhe vartësi i tij këtu në Pirshtinë, Ambasadori Delawie.