Veteranët e çamë të pa konsideruar dhe të harruar

Erdhi dhe iku ky i ashtuquajturi 29 nëntori dita e çlirimit. E cilësoj të tillë sepse vit pas viti zbehet imagjinarja dhe merr terren e vërteta, jo vetëm se është 28-ta apo 29-ta, por edhe sepse a u çliruan vërtet shqiptarët nga pushtimet? Koncepti “çlirim” ka lidhje me lirinë e territorit dhe integritetit, me lirinë e mendimit e të fjalës, me lirinë e të drejtave të njeriut etj. Pikërisht këto nuk u gjetën dhe nuk u krijuan pas atij të ashtuquajtur “çlirim” dhe shqiptarët provuan një imazh çlirimi dhe u “pushtuan” nga një sistem që i mohoi të gjitha liritë dhe veçanërisht idealin e luftës antifashiste për “Shqipërinë e lirë dhe demokratike” që asnjëherë nuk u bë e tillë edhe pse flasim e flasim për këtë dëshirë të madhe që në fakt u bë Shqipëri e izoluar dhe diktatoriale.

I shohim me figurë dhe i dëgjojmë me zë se si flasin veteranë dhe ish luftëtarë, krenohen familjarët e tyre dhe gëzojnë nipat e mbesat me “netët e bardha”, bëhen takime veteranësh dhe me familjarë te tyre. Edhe pse shumë syresh hiqen si veteranë, edhe pse kanë një moshë që në kohën e çlirimit kanë qenë fëmijë të vegjël dhe që cilësimi “veteran” u bë privilegj i një komiteti që kë donte e quante dhe kë nuk donte e përjashtonte nga të qenurit “veteran lufte”.

Mendja më shkon tek një fakt i jetuar nga unë artikullshkruesi me babain tim të ndjerë:

Ishte viti 1974, sapo im atë kishte dalë në pension dhe kishte bërë gati dokumentat që kishte për t’i çuar në seksionin juridik të ish komitetit ekzekutiv të kohës. Shkuam bashkë me babin, pasi ai paraprakisht kishte biseduar me shefin e seksionit në atë kohë dhe u bëmë prezent unë dhe babai në zyrën përkatëse. Ishin të pranishëm veç kryetarit dhe sekretarit zyrës edhe një burrë me kapele tip kineze që mbanin sigurimsat ose Byroja e partisë. Fakti që im atë ishte pjesëtar në kampin e përqëndrimit të shfarosjes në masë në Gjermani gjatë kohës së Luftës II Botërore, edhe pse ishte internuar nga Greqia ku ai ishte shtetas me kombësi shqitpare, kthimi më shtator 1945 në Shqipëri, meritonte të kosiderohet veteran se kështu i kishte pajisur me një letër më 11 shtator 1945, Kol. Jashar Kasimati në Gjirokastër, sapo kishin hyrë në tokën shqiptare nga Kakavija.

Vetë shefi juridik i shpjegoi njeriut me kapele tip kineze se cili ishte im atë, ndërkohë që unë nuk e njihja se kush ishte ai njeri. Me një zë të qetë, por me shumë idhësi ky njeri shprehet se”ata që shpëtuan gjallë nga kampet e internimit në Gjermani, u bënë spiunë të Gestapos ?!”. Ishte një rrufe në qiell të pastër, shefit juridik i ngrinë letrat në dorë, ndërsa babai pasi e pa me vështrimin e  tij prej një burri serioz dhe të sinqertë, i përgjigjet se nuk e njeh këtë lloj zanati dhe menjëhërë i kërkon letrat shefit juridik dhe bashkë dalim nga zyra se nuk kishte më kuptim përse të rrinim.

Im atë, veterani i një lufte me sakrifica të mëdha si antifashist si edhe shumë shqiptarë të tjerë, nuk e kishte menduar se një ditë do t’i thoshin këto fjalë. Se cili ishte ky njeri e mora vesh më vonë nga sekretari i zyrës juridike se ai ishte Hekuran Pobrati, Hero i Popullit, që në mendësinë e tij kishte mbetur një mohues i vlerave dhe kontributeve të atyre që sakrifikuan jetën për idealet e lirisë dhe demokracisë. “Nuk e dua më atë lek që do merrja si veteran lufte”, më tha im atë kur e mblodhi veten nga kjo fyrje e rëndë e dinjitetit të tij.

U bënë letra kërkesa për trajtimin e kësaj ngjarjeje edhe në Komitetin Qendror dhe Presidumin e  Kuvendit Popullor, por përgjigja ishte e prerë se nuk mund ta trajtonin një çështje të tillë.

Im atë ndërroi jetë pas 14 vjetësh nga ajo ngjarje dhe vetëm në vitet e demokracisë u bë një vlerësim për babain tim dhe për ata nga Çamëria që ishin kontribues antifashistë.

Pas gjithë kësaj ngjarjeje do të doja të dija se si është e mundur që nga Shoqata Çamëria apo PDIU nuk bëhet një hërë një takim me veteranët çame që kanë luftuar kundër nazifashizmit, takime me familjet e dëshmorëve apo të atyre që ishin pjesëtarë në luftë dhe që kanë ndërruar jetë, si dhe me familjarë të atyre që i kishin të dashurit e tyre në kampet e përqëndrimit në Itali e në Gjermani. Takime jo si relike veteranësh, por si vlerësim për kontributet e tyre dhe një mesazh për ata që nuk e dinë ose nuk duan ta pranojnë se shqiptarët e Çamërisë ishin antifashistë në Luftën II Botërore. Jo thjesht një takim kortezial, por një shpalosje e vlerave të pjesëmarrjes së çamëve në luftën antifashiste, se na ngelën në vesh akuzat greke për bashkëpunim me pushtuesit.

Po ku është ai i ashtuquajturi Komiteti i Vereanëve të Luftës që nuk janë bërë të gjallë që të thonë një herë një fjalë për luftën e popullatës çame në Çamëri kundër nazifashizmit. Se në atë luftë të madhe siç e quajnë këta veteranë të mbetur, kishin në rradhët e çetave dhe brigadave partizane edhe shokët e tyre nga Çamëria këndej dhe andej kufirit. Do të ishte kjo edhe një shuplakë ndaj akuzave greke për çamët e pafajshëm. Kjo të bëhet edhe si një dëshmi e faktit që të mos gjendet ndonjë tip Heroi i Popullit që çamët i bëri armiq dhe që të mos sillen si sigurimsat që për idealet e komunizmit bënë armiq vëllezërit e tyre luftëtarë siç ndodhi veçanërisht me çamët.

Dhe së fundi, ato homazhe në varrëzat e dëshmorëve të kombit, kanë një paradoks se edhe i vetmi “Hero i Popullit” siç njihet Ali Demi, eshtrat e  këtij biri të Çamërisë nuk gjenden në këto varreza sepse siç duket veteranët e djeshëm dhe të sotëm kanë frikë nga akuzat greke apo një harresë e qëllimshme si një luftë klasash që vazhdon pambarimisht për një popullatë martire që mban mbi vete tre genocide, atë nazifashist, atë grek dhe atë komunist.