Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:

وَالْفَجْرِ {1} وَلَيَالٍ عَشْرٍ {2} – “Pasha agimin dhe dhjetë netët …” (el-Fexhr, 1-2).

Allahu i Madhërishëm betohet në agimin, dmth mëngjes, e në veçanti i referohet agimit të ditës së parë të Bajramit të Kurbanit, siç citohet në tefsirin e Ibn Kethirit.

Pastaj, edhe 10 netët, dmth. i referohet 10 ditëve dhe netëve të para të muajit dhul-hixhe, Allahu betohet në këto net që tu tregojë besimtarëve për vlerën e këtyre netëve në krahasim me netët e tjera.

Imam Buhariu në Sahihun e tij dhe Davudi e Tirmidhiu në Sunenet e tyre shënojnë nga Abdullah ibn Abasi (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat puna e mirë është më e dashur për Allahun se sa në këto 10 ditë.” Pastaj ata e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, a edhe lufta në rrugën e Allahut?” Ai tha: “As lufta në rrugën e Allahut, përveç një njeriu i cili del për të luftuar duke dhënë veten dhe pasurinë e tij dhe kthehet pa asgjë!”

Imam Ahmedi (r.h.) transmeton nga Abdullah ibn Omeri (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Nuk ka ditë më të mëdha as më të dashura tek Allahu për të bërë vepra të mira se sa këto ditë, andaj shqiptoni (këndoni) tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (elhamdulilah).”

Transmetohet nga Aisha (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Nuk ka asnjë ditë në të cilën Allahu liron më shumë robër nga zjarri, më tepër se në ditën e Arafatit. Allahu i Madhërishëm afrohet, pastaj lavdërohet me ta (me robërit e Tij) para melekëve të Tij, duke thënë: “Çfarë kanë kërkuar këta?’, kurse në një tjetër transmetim qëndron vazhdimi ku thuhet: “Dëshmoni pra, o melekët e mi, se Unë ua fala atyre!” (Muslimi, En-Nesai)

Ibn Abasi (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë:

– “Dita e parë e dhul-hixhes, është dita në të cilën i është falur Ademit (a.s.), andaj kushdo që e agjëron atë ditë do t’i falen të gjitha mëkatet.

– Dita e 2 të dhul-hixhes, është dita në të cilën Allahu e ka pranuar lutjen e Junusit (a.s.) dhe e ka shpëtuar nga barku i balenës, andaj kushdo që agjëron atë ditë, sikur të ketë bërë ibadet tërë vitin.

– Dita e 3 e dhul-hixhes, është dita në të cilën i është pranuar lutja e Zekerijas (a.s.) dhe kushdo që agjëron atë ditë do t’i pranohet lutja.

– Dita e 4 është dita në të cilën u lind (Isai a.s.) dhe kush e kalon në agjërim, Allahu do t’ia largojë atij çdo dëshpërim, varfëri dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë me ata që i ka gëzuar Allahu.

– Dita e 5 është dita në të cilën u lind Musai (a.s.) dhe kush e kalon në agjërim atë ditë, do të shpëtojë nga hipokrizia dhe nga dënimi në varr.

– Dita e 6 është dita në të cilën Allahu i  Madhërishëm i ka dhuruar Pejgamberit (savs), gjithë të mirat (hajr) dhe kush e kalon në agjërim Allahu do ta mëshirojë dhe do ta shpëtojë nga çdo dënim pas tij.

– Dita e 7 është dita në të cilën mbyllen dyert e xhehenemit dhe nuk hapen deri sa të kalojnë 10 ditët e dhul-hixhes, kush e agjëron atë ditë, Allahu do t’ia mbyllë 30 dyer të vështirësive dhe do t’ia hapë dyert e lehtësimit.

– Dita e 8 është dita e cila quhet Jevmut-tervijje, kush e agjëron atë ditë do t’i jepet shpërblim i madh, dmth do të shpërblehet me një shpërblim vlerën e të cilit nuk e di tjetër kush përveç Allahut të Madhërishëm.

– Dita e 9 është dita që quhet Jevmul-Arefe, dmth dita e Arafatit, andaj kush e agjëron atë ditë, do të jetë keffaret (falje e mëkateve) për vitin e kaluar dhe për vitin që vjen. Kjo është dita në të cilën është shpallur:

… الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلاَمَ دِيناً …

“…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (el-Maide, 3).

– Dhe dita e 10 është Jevmul-Ed’ha, andaj kush e theren në të kurbanin e tij, dmth. kush ther kurban, me pikën e parë të gjakut që rrjedh, i shlyhen mëkatet e tij dhe të familjes së tij. Kush e ushqen një besimtar, apo jep sadakë në atë ditë, Allahu do ta ringjallë në Ditën e Gjykimit të sigurt, dhe Mizani (peshorja) i tij do të jetë më i rëndë se kodra e Uhudit.”

Po na vjen muaji dhul-hixhe, dita e parë hyn të dielën më 12 gusht  2018, andaj t’i shfrytëzojmë këto ditët e ardhshme me agjërim dhe me gjëra tjera të lidhura me ibadet.

Disa prej ibadeteve të rekomanduara gjatë këtyre ditëve:

– Ndër veprat e mira që duhet t’i bëjmë është agjërimi, sepse Allahu i Plotfuqishëm në një hadith-kudsij thotë: “Të gjitha veprat e birit të Ademit i takojnë atij, përveç agjërimit, i cili është i Imi dhe Unë për të shpërblej.”

– Namazi i natës (kijamul-lejl). Pejgamberi (savs) ka thënë: “Agjërimi vullnetar në këto ditë është i barabartë me agjërimin vullnetar të një viti, kurse namazi vullnetar në çdo natë të tij, është i barabartë me namazin vullnetar në Natën e Kadrit.” (Tirmidhiu)

Leximi i Kur’anit, veçanërisht në këto ditë, sepse për një harf ka 10 sevape, do të thotë për leximin, mësimin dhe meditimin e tyre.

Të bërit shumë sexhde, sepse Pejgamberi (savs) thotë: “Bën shumë sexhde, sepse nuk do ta bësh asnjë sexhde për Allahun, e që Ai të mos ngrejë ty në gradë më të lartë dhe të mos shlyej nga një mëkat.”

– Shqiptimi sa më shumë tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber), tahmid (elhamdulilah).

– Pendimi –  Edhe pse pendimi duhet të bëhet vazhdimisht, duhet t’i shfrytëzojmë këto ditë të bekuara për të bërë sa më shumë tevbe dhe për t’i kthyer sinqerisht zemrat tona kah ibadeti.

– Bamirësia, të ndihmuarit dikë në nevojë, veçanërisht në ditët e hajrit, meriton shpërblim të veçantë tek Allahu i Madhërishëm.

Arafati – Dita e 9 e dhul-hixhes, në mënyrë rigoroze është rekomanduar agjërimi atë ditë, për ata që janë në shtëpitë e tyre (dmth ata që nuk janë në haxh), sepse kjo është dita më e rëndësishme e krejt vitit. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Agjërimi në ditën e Arafatit i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen.” (Muslimi )

– Dita e 10 është dita e Bajramit dhe është e ndaluar të agjërohet.

Andaj, nëse kemi mundësi pse të mos bëjmë përpjekje dhe t’i shfrytëzojmë këto ditë në agjërim dhe ibadet, ose të paktën një nga këto ditë, nëse jo të gjitha. Mos të lejojmë të na kalojnë këto ditë dhe begatitë të cilat na i dhuron dhe ofron Allahu i Madhërishëm. Asnjëherë mos mendoni se keni bërë mjaft të mira!

ربنا تقبل منا إنك أنت السميع العليم ! – “O Zot, pranoje prej nesh, sepse Ti çdo gjë dëgjon dhe e di!”

Burimi: rijaset.ba; Përshtati: Miftar Ajdini